Arbëri

Kusari-Lila: Taksa ndaj produkteve serbe ia ka humbur kuptimin dialogut

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, në radhët e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka folur për taksën doganore 100 për qind, që Kosova e ka vendosur për produktet e Serbisë dhe të Bosnje dhe Hercegovinës. Sipas saj, ky vendim i Qeverisë është i domosdoshëm dhe mekanizmi i vetëm për ta kushtëzuar Serbinë.

Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se reagimet e Federica Mogherinit për taksën 100 për qind, janë të njëanshme. Ajo thotë se prodhuesit kosovarë do të përfitojnë nëse kjo masë nuk do të ndërpritet.

Kusari-Lila thotë se pas vendosjes së kësaj mase, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka kuptim. Ajo shprehet se arrestimet në veri të Mitrovicës, janë të lidhura me taksën që Qeveria e Kosovës i ka vendosur Serbisë dhe janë bërë me urdhër të presidentit Thaçi.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës ka disa ditë që ka filluar aplikimin e taksës doganore për Serbinë 100 për qind. Cili është mendimi juaj për këtë taksë?

Mimoza Kusari-Lila: Prej fillimit kur Qeveria ka paralajmëruar dhe pastaj filloi me zbatimin e masës prej 10 për qind, mendoj se ka qenë një hap i duhur. Në fakt, është i vetmi mekanizëm që Kosova mund ta aplikojë në raport me Serbinë. Herën e parë Qeveria e Kosovës ka pasur një vendim shumë të butë, vendim simbolik. Tash ka kuptim vendimi, për arsye se ka ndikim të drejtpërdrejt në mosblerjen apo në vështirësitë për prodhuesit serbë në plasmanin e produkteve të tyre në Kosovë.

Nëse hyjmë në një rishikim të krejt asaj se çfarë kemi arritur me Serbinë deri më tash, më tepër kemi regres në këto vitet e fundit sesa që ka një progres. Andaj, një masë e cila kthen në pikën në të cilën Serbia duhet ta shohë se edhe ajo ka nevojë për Kosovën, ka qenë më se e domosdoshme.

Pak do të jetë e vështirë që Serbia të njohë Kosovën, ashtu siç kërkon kryeministri (Ramush) Haradinaj në këto rrethana të krijuara tash, por që është e domosdoshme që të vendoset një kufi i asaj se çka është e lejueshme për të hyrë në negociata, pastaj për uljen apo ndryshimin e kësaj mase.

Intervistën e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.