Arbëri

Ambasada Amerikane përgëzon Kuvendin për miratimin e ligjeve të agjendës evropiane

Ambasada Amerikane ka vlerësuar lart rolin e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pakos së ligjeve për Agjendën Evropiane të Reformave, respektivisht ligjet që lidhen me reformat në sistemin e drejtësisë.

“Uroj Kuvendin e Kosovës për punën e bërë në koordinim mes gjitha partive për të miratuar ligje kyçe që përmirësojnë efikasitetin e drejtësisë, zgjerojnë të drejtat e grave në trashëgimi, mbyll vakumet ligjore ndaj krimit dhe i mbronë ata që raportojnë korrupsionin. Sfida e ardhshme është zbatimi konsistent”, ka shkruar në Twitter u.d ambasadorja Amerikane në Kosovë, Colleen Hyland.

Lexo edhe: Apostolova përshëndet miratimin e ligjeve për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar

Këtë postim të diplomates amerikane e ka shpërndarë në Twitter-in e tij kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili e ka falënderuar deputetët dhe Ambasadën Amerikane për punën e mirë që kanë bërë për miratimin e ligjeve.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tash e disa javë ka mbajtur takime të shpeshta me Komisionin për Legjislacion dhe Komisione tjera parlamentare për të shtyrë përpara miratimin e pakos së re ligjore e cila do të forcojë sundimin e ligjit në Kosovë.