Arbëri

Hahni bisedon me Thaçin, Haradinajn e Vuçiqin për taksën

Foto: Koha / ilustrim

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, ka njoftuar se ka zhvilluar bisedime sot me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me zhvillimet e fundit ndërmjet dy vendeve që kanë të bëjnë me taksën e vendosur prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe dhe ato boshnjake.

Përmes një postimi në Twitter, Hahn ka theksuar se gjatë bisedimeve, është rënë dakord për nevojën urgjente për qetësi në interes të gjithë rajonit.

“Bisedova me Vuçiqin, Thaçin dhe Haradinajn sot. U pajtuam për nevojën urgjente për qetësi dhe mospërshkallëzim në interes të gjithë rajonit. U ofrova ndihmën që të punojmë në mënyrë të shpejtë dhe zgjidhje praktike të çështjes së CEFTA-s”, ka shkruar Hahn, transmeton Koha.net.