Arbëri

Gërxhaliu thotë se Kosova blen në Beograd edhe mallrat turke

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në Express Intervistën në KTV, ka treguar se pse sipas tij, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, e ka veçuar emrin e tij në konferencën që mbajti pasi u vë taksa prej 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe BeH.

Vuçiqi, përveç që e quajti vendimin e Qeverisë së Kosovës politik, e përmendi Gërxhaliun duke e cilësuar turp largimin e tij nga Oda Ekonomike e Kosovës.

“Turp që e kanë larguar Safet Gërxhaliun nga Oda Ekonomike e Kosovës, ai e dinte se çfarë është tregtia dhe çfarë është ekonomia”, tha Vuçiqi pasditen e së mërkurës në konferencë, transmeton Koha.net.

Gërxhaliu tha se ishte befasi për të. “Nuk jam i prirë t’iu arsyetohem deklaratave politike, sidomos në këtë rast. Në mandatin tim kemi bërë çmos në internacionalizimit të tregtisë, kemi punuar shumë për t’u anëtarësuar kudo. Edhe anëtarësimi në Odat e Serbisë ka qenë punë e mirë, kemi zhvilluar takime të shumta me ta dhe kemi pasur bashkëpunime të mira”, tha Gërxhaliu në KTV.

Ai tha se masat ndaj Serbisë nuk janë të sotme, por tentativa të tilla ka pasë edhe më herët. Nuk deshi të komentoj shumë deklaratat e Vuçiqit se nëse ai ka dashur të krijoj tension.

“Nuk e shoh të arsyeshme të humb kohë me deklaratën e Vuçiqit sepse s’kam qenë aty. Ka qenë shokuese, por në situata të tilla të tensionuara, dikush duhet të jetë viktimë. Në këtë rast, ishte emri im. Por ata që më njohin mua, e dinë punën që bëj”, tha ai.

Gërxhaliu, ndër tjerash e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për taksa, por thotë se paraprakisht është dashur të kishte një paralajmërim sidomos për bizneset.

“Për vendime të tilla duhet të ketë guxim e edhe analizë. Nuk dua të besoj, se një ditë do të verifikohet që një masë e tillë është politike. Nëse dikush mund të ma argumentojë se pas një mase të tillë s'do të ketë rritje të çmimeve, s’mund të më bind askush sepse veçse ka filluar rritja e çmimeve”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu foli edhe për deklaratat e liderëve se kjo masë duhet të jetë në fuqi derisa Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës.

“Është emocion që e ka kapluar Kosovën. Kam pasur takime të shumta ku shprehen zhgënjime për këtë taksë të paparalajmëruar. Tregtia është si uji, qytetarët s’do të jenë pa produkte, do të kenë por më të shtrenjta. Pra dy fenomene që s’mund të anashkalohen është ngritja e çmimeve dhe një fuqizim i kontrabandës dhe informalitetit”, tha ai.

Foli edhe për marrëveshjen mes Turqisë dhe Kosovës për tregti që nuk është nënshkruar dhe s’është në fuqi. Thotë se kur ka biseduar me shumë biznesmenë kosovarë, kanë thënë se blejnë produkte të Turqisë nga Beogradi e jo nga Turqia, pasi atje i gjejnë shumë më lirë.

“Bizneset kosovare në Beograd blejnë edhe produkte të Turqisë”, tha ndër të tjera.