Arbëri

Haradinaj: Taksa 100 për qind hiqet vetëm atëherë kur Serbia e njeh Kosovën

Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mbajti takimin e radhës, ku u diskutua për gjendjen e tanishme në vendin tonë. Kryetari i AAK-së dhe njëherësh kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, përmendi taksën prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje Hercegovinës, dhe tha se kjo taksë do të hiqet vetëm me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Serbia ka me u mundu me testu qëndrueshmërinë tonë, duke na provokuar në forma të ndryshme, së pari duke u thirrur në katastrofë humanitare për serbët e Veriut, e që në të vërtetë nuk do të ndodh një gjë e tillë. Ajo do të mundohet të vë edhe barrikada në Veri, siç është e njohur me forma të tilla, por, prapë nuk do të ketë sukses. Të gjitha këto variante janë rrugë të gabuara nga ana e Serbisë nëse do t’i ndërmarr. Rruga e vetme e drejt është që ta njohë Kosovën si shtet”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, sa i përket BE-së, thotë Haradinaj, “që po thirret në atë se nuk e kemi respektuar marrëveshjen e CEFTA-së është gabim, sepse ne kemi vepruar sipas ligjit, kur e kemi vënë këtë taksë. BE-ja gjithashtu po na kritikon për atë se nuk i kemi kërkesat e qarta. Këtë herë ne e kemi vetëm një kërkesë, ta njeh Serbia Kosovën”.

Kryeministri foli edhe për çmimet e shumë produkteve. Ai tha se çmimet nuk guxojnë të rriten.

“Më vjen keq prej sipërmarrësëve, por, këtë gjendje do ta kalojmë së bashku dhe nuk duhet ta keqpërdor askush këtë situatë, sepse nuk do të jetë mirë për askënd”, tha ai.

Më tej ai tha se Kosova është në proces për liberalizimin e vizave, që beson se do të ndodh së shpejti.

Krejt në fund Haradinaj tregoi se për të gjitha këto vendime e ka mbështetjen e koalicionit qeverisës.