Arbëri

QKUK-ja blen me 1 milion euro shtretër që s’i zënë as dyert e dhomave as ashensorët

735 shtretër janë blerë për nevojat e klinikave të Qendrës Universitare të Kosovës.

1 milion e 2 mijë euro janë shpenzuar për këta shtretër që, sipas ShSKUK-së, i plotësojnë kriteret evropiane por jo edhe ato kosovare.

Askush në Qendrën Klinike Universitare nuk ka dashur të flasë para kamerave, por Shefi i Prokurimit, Gazmend Rushiti, ka treguar se për këtë tender të planifikuar me 5 lote kanë aplikuar 7 kompani, tri prej të cilave, sipas tij, kanë qenë të përgjegjshme dhe përzgjedhja e kompanisë është bërë jo për nga çmimi më i ulët, por është zgjedhur kompania që i ka përmbushur specifikat e kërkuara nga QKUK-ja.

Sipas njoftimit mbi vendimin e autoritetit kontraktues, kompania fituese që është MADE-Kos ishte 5 për nga çmimi më i shtrenjta dhe vetëm 1 mijë e 800 euro më pak sesa dallimi i çmimit të planifikuar nga vetë ShSKUK-ja.

Deri tash, disa klinika i kanë refuzuar shtretërit.

KTV-ja ka kuptuar se Nefrologjia kishte planifikuar t’i ndërronte dyert për t’iu përshtatur lëvizshmërisë se shtretërve, por në pah doli edhe problemi tjetër. Shtretërit nuk mund të futen as në ashensor.

Ata janë më të ngushtë sesa gjerësia e tyre.

Sidoqoftë, për shtretërit, çmimi i të cilëve është sjellë nga 1 deri në 2 mijë euro, janë gëzuar pacientët.

Në anën tjetër, KTV-ja ka provuar të marrë përgjigje konkrete nga Drejtoria e SHSKUK-së.

Se:

- Cila është arsyeja e refuzimit të shtretërve nga disa klinika të QKUK-së?

- Sa është madhësia e dyerve të klinikave dhe kur janë ndërruar ato?

- Sa është madhësia e shtretërve të rinj?

-Sa ka qenë madhësia e shtretërve të vjetër?

-A kanë qenë lëvizës ata?

-Dhe nëse shtretërit nuk mund të dalin nga klinikat, pse është dashur të blihen të tillë kur çmimi i shtretërve pa mekanizëm kushton më lirë?

Por, përgjigja e tyre ka qenë e shkurtër dhe pa sqarimet e kërkuara.

“Ju njoftojmë se nuk janë refuzuar shtretërit e rinj, ata të gjithë janë shpërndarë në klinika të ndryshme. Por, në disa klinika gjerësia e dyerve nuk është me standarde për institucione shëndetësore, ndërsa është në plan të projektimit të modernizimit të klinikave dhe aty planifikohet edhe ndërrimi i dyerve”, është thënë në përgjigjen nga Drejtoria e ShSKUK-së.

Kohavisioni, pavarësisht mospërgjigjes, ka gjurmuar në internet kodin e shtretërve që kanë qenë në korridorin e Nefrologjisë, e të cilët janë me tre motorë, dhe, bazuar në specifikat e dhëna nën këtë kod, del se shtretërit kanë gjerësi prej 1 metër e 10 centimetrave, jo prej një metër siç kanë deklaruar më herët zyrtarët e prokurimit dhe ata që e kanë hartuar këtë tender.