Arbëri

Lajçaku e quan jodemokratik shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë në vija etnike – si një mënyrë për të varrosur dallimet dhe hapje e rrugës drejt Bashkimit Evropian – është kundër “shpirtit të demokracisë” dhe fondamenteve të BE-së, ka thënë ministri i jashtëm sllovak, Mirosllav Lajçak.

Presidenti i Serbisë dhe ai i Kosovës, kanë përmendur mundësinë e shkëmbimit të territoreve si formë e marrëveshjes përmes të cilës Kosova do të mund të anëtarësohej në Kombet e Bashkuara, eventualisht në BE, transmeton Koha.net.

Me këtë marrëveshje, Serbia, që i duhet të përmirësojë marrëdhëniet me Kosovën për t’u afruar me BE-në, do t’i duhej të japë Luginën e Preshevës, të banuar me shqiptarë, ndërsa Kosova të heqë dorë nga territori i banuar me serbë matanë lumit Ibër.

Kjo mundësi, e cila do ta detyronte Perëndimin që të hiqte dorë nga parimi se Kosova nuk mund të ndahet, ka trazuar rajonin dhe mund të ketë domino efekt në Bosnjë dhe Maqedoni.

Lajçak, ish-ambasador në Beograd, ka paralajmëruar se një zgjidhje e tillë do të shkaktonte ndarje të tjera.

“Krijimi i territoreve në vija etnike është në kontradiktë të qartë me shpirtin e demokracisë, fondamentet e BE-së dhe procesin e integrimit Euro-Atlantik”, ka thënë Lajçak në një intervistë për BIRN-in.

Derisa çdo ngjarje ndërkombëtare është sui-generis, ka thënë ai, shpallja e Pavarësisë së Kosovës ka pasur jehonë disa vite më vonë, dhe një shkëmbim i mundshëm territoresh mund të ketë jehonë të tillë. Sllovakia është një prej pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Mund të argumentojmë se brenda këtyre 10 vjetëve që prej shpalljes së njëanshme të pavarësisë kemi më shumë tendenca që të krijohet shtetësia dhe deklarimi i njëanshëm i pavarësisë mund të shërbejë si rast”, ka thënë Lajçak.

Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë Lajçak, mund t’ia ndërrojë kahen fokusit të shteteve tjera ballkanike që po synojnë reforma dhe mund t’i shpie drejt gjakderdhjes dhe nacionalizmit me arsyetimin se “nëse qe e mundur atje [mes Kosovës dhe Serbisë] duhet të jetë e mundur edhe këtu”.

“Në rajon, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia janë vende që pas një kohe publiku mund të kërkojë ndasi sipas etnisë”, ka thënë Lajçak. “Dhe siç thash, kjo mund të jetë kundër procesit të integrimit në shoqërinë Euro-Atlantike”.

Liderët serbë të Bosnjës nuk e fshehin dëshirën për ndarje, derisa disa parti kroate synojnë decentralizim më të madh dhe zënë një pjesë brenda Bosnjës. Në Maqedoni, gati një e treta e popullatës është shqiptare dhe kërkojnë më shumë të drejta që prej vitit 2001 kur ndodhi lufta civile.