Arbëri

Tahiri e Haxhiu me deklarata krejtësisht të kundërta për integrimin e gjyqësisë së veriut në sistemin e Kosovës

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe kryetarja e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, kanë dhënë deklarata krejtësisht të kundërta për integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të veriut në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Në kuadër të Panelit të Diskutimit me temën “Integrimi i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Serbë të Veriut në Sistemin Gjyqësor të Kosovës”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Tahiri e quajtu storie suksesi këtë proces.

Pas tij, u deklaruar Haxhiu që e konsideroi këtë proces si tërësisht jo-transparent dhe jo-funksional. “Për më tepër, ajo tha se negocimi i shtetit të Kosovës me shtetin e Serbisë lidhur me shuarjen e strukturave kriminale dhe jo-ligjore ne Veri është goditje për sovranitetin e shtetit të Kosovës. Kjo është detyrë dhe kompetencë e Qeverisë së Kosovës, KGJK-së, KPK-së dhe e askujt tjetër”, thuhet në njoftimin e GLPS-së.

Në anën tjetër, Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Nehat Idrizi, ka thënë se pavarësisht sfidave të tilla si numri i lëndëve në krahasim me kapacitetet njerëzore, barrierat gjuhësore dhe mungesa e përkthyesve, ky proces është duke shkuar gradualisht drejt normalizimit dhe integrimit të plotë në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Ai më tutje theksoi se KGjK është duke e hartuar një udhëzues për kriteret dhe procesin e validimit të vendimeve të strukturave paralele gjyqësore si dhe theksoi faktin që aktualisht, ndarja e lëndëve tek gjyqtarët për momentin bëhet në baza gjuhësore.

Kurse Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, theksoi se ndarja e lëndëve në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë po bëhet në bazë të Rregullores së KGJK-së. Ai gjithashtu konkludoi që KPK është duke zbatuar në përpikëri Marrëveshjen e Brukselit dhe deri tani kanë hasur në ndonjë incident.

Gjithashtu, gjatë këtij paneli u bë prezantimi i Analizës së titulluar: “Drejt Jugut: Integrimi i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Serb të Veriut në Sistemin Gjyqësor të Kosovës”, hartuar nga GLPS-ja.

“Në këtë analizë janë identifikuar problemet e shkaktuara me Marrëveshjen e Brukselit për Drejtësinë dhe problemet me të cilat përballet procesi i integrimit të veriut. Si njëri ndër problemet e identifikuara në analizë është decentralizimi i kompetencës së Gjykatës së Apelit dhe krijimi i një entiteti të veçantë për të, në kundërshtim me ligjin ekzistues. Pastaj, ndarja e lëndëve në bazë të përkatësisë etnike të palëve dhe në baza gjyqësore kundër parimit esencial ligjor për ndarjen e lëndëve në bazë të parimit të rastësisë. Njëkohësisht, analiza ka gjetur logjikë në krijimin e një procesi të validimit të vendimeve të strukturave paralele gjyqësore deri më tani, mirëpo ky sistem assesi nuk guxon të përdoret për rastet lidhur me vendosjen e lëndëve penale, lëndëve të punës dhe të drejtën e pronësisë. Për më tepër, problem kyç është identifikuar të jetë zëvendësimi i stafit profesional dhe rekrutimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj si pasojë e shkollimit të tyre në një sistem të ndryshëm arsimor ligjor nga ai i Kosovës. Poashtu, problemi i mungesës së përkthyesve në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe në deget e saj, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe në Akademinë e Drejtësisë është cilësuar të jetë problem rrjedhojë e mospërgatitjes paraprake të institucioneve shtetërore kosovare për një proces të tillë integrues”, thuhet në përshkrim të analizës sipas GLPS-së.

Diskutimi i realizuar trajtoi të gjitha këto probleme duke u zgjeruar edhe më shumë në procedurën dhe mbarëvajtjen e dekretimit të të integruarve, pjesën e raportimit ligjor të Kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe 4 degët e saj pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe raportimi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë pranë Këshillit Prokurorial të Kosovës. Gjithashtu, u trajtua edhe problemi i mungesës së numrit të nevojshëm të noterëve si dhe kërcënimet e vazhdueshme që të integruarit kanë pranuar nga ana e Qeverisë së Serbisë, ka njoftuar në fund GLPS-ja.