Arbëri

BE-së i intereson vetëm dialogu, e jo Interpoli

Bashkimi Evropian nuk ka qëndrim rreth dështimit që Kosova të anëtarësohet në Interpol. Në një përgjigje të zëdhënëses së Përfaqësueses së lartë të BE-së rreth kësaj çështjeje, vetëm thuhet se “Çështja i takon shteteve anëtare të organizatës përkatëse ndërkombëtare”.

Me asnjë fjalë tjetër nuk i referohen as dështimit të anëtarësimit të Kosovës në Interpol e as sa mund të ketë kjo ndikim në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera.

Por në ketë reagim të BE-së shihet qartë se shqetësimi i vetëm është ndikimi që mund të ketë në dialog.

“Interpoli është një partner i rëndësishëm i Bashkimit Evropian. Ne kemi një bashkëpunim pozitiv, përfshirë edhe në fushën e bashkëpunimit policor brenda BE-së, asistencës teknike për shtetet e treta, operacionet në fushën e politikës së përbashkët të mbrojtjes dhe sigurisë, posaçërisht me qëllim të rritjes së bashkëpunimit policor dhe sundimit të ligjit”, ka thënë për “Kohën Ditore” Maja Kocijançiq, zëdhënëse në Komisionin Evropian në përgjigje me shkrim.

Ajo më tej ka rikujtuar se si Federika Mogherini, pas takimit të nivelit të lartë të dialogut më 8 nëntor, pat thënë se “Kosova dhe Serbia duhet të sigurojnë një ambient të duhur për dialogun dhe të përmbahen nga fjalët, veprat dhe masat që shkojnë kundër frymës së normalizimit”.

“BE-ja pet nga Serbia dhe Kosova që shpejt të dëshmojnë përkushtimin e tyre për dialog duke pasur parasysh lidhjet direkte mes normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve mes tyre dhe perspektivën konkrete për EU aspiratat e tyre”. /Augustin Palokaj/