Arbëri

Veseli e do ndëshkimin e atyre që përdorën pushtetin për të bërë para, vetura e gra

Shumë gra, shumë shtëpi e vetura luksoze, kanë përfituar persona të shumtë gjatë ushtrimit të funksionit publik, ka thënë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Ai ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe për zbatimin e plotë të Ligjit të ri për Parandalimin e Konfliktit të Interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik.

Në një takim me drejtues të Institucioneve të Drejtësisë, Veseli ka thënë se nuk do të tolerohet askush që të abuzojë me pozita zyrtare dhe me paranë publike.

Ndihmë për këtë ka kërkuar edhe nga qytetarët.

Veseli ka shtuar se Projektligji për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme të përfituar në mënyrë jo të arsyetuar, është në fazën e leximit të dytë në Kuvend, dhe, sipas tij, do të përfundojë shumë shpejt.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka theksuar se të gjithë keqbërësit e parasë publike do të ballafaqohen me ligjet në fuqi.

E, kryeshefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka theksuar se AKK-ja është në fazën e riorganizimit për plotësimin dhe ndryshimin e kornizës ligjore për funksionimin e Agjencisë.

Sipas Havollit, AKK-ja është në fazën e hartimit të Ligjit për Agjencinë Kundër Korrupsion dhe Ligjit të Deklarimit dhe Prejardhjes së Pasurisë.