Nënshkrimi i Kontratës së re Kolektive parandaloi grevën e mësimdhënësve Foto: Koha

Nënshkrimi i Kontratës së re Kolektive parandaloi grevën e mësimdhënësve

19 prill 2017 06:35

Mësimdhënësit nuk do të futen në grevën e paralajmëruar nga Sindikata e këtij sektori, me të përfunduar pushimi pranveror i shkollave. Një javë pasi ka skaduar Kontrata Kolektive e nënshkruar në vitin 2014, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arsim Bajrami, dhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, kanë nënshkruar Kontratën e re Kolektive. Kontrata e re dhe miratimi i Projektligjit për mësimdhënësit e viteve ‘90 kanë qenë kërkesat kryesore të SBASHK-ut të bëra publike javëve të fundit.

Ndonëse deri tash vetëm njëra nga to ka gjetur mbështetjen institucionale, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë të martën për gazetën se pas nënshkrimit të Kontratës Kolektive janë tërhequr nga paralajmërimi për grevë. Ai ka thënë të ketë marrë zotimin se edhe Projektligji për mësimdhënësit e viteve ‘90 do të shkojë sa më shpejt në Qeveri, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në Kontratën e re Kolektive janë bërë disa ndryshime për dallim nga ajo e vitit 2014. Kontrata e re përveç sektorit parauniversitar parashihet të mbulojë edhe atë universitar.

Për Kontratën Kolektive të nënshkruar më 2014, SBASHK-u vazhdimisht ka kërkuar që të plotësohen obligimet që dilnin prej saj, si pagesa e 70 për qind të udhëtimit, çështja e shujtave dhe tri pagat pas pensionimit, të cilat nuk ishin realizuar.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arsim Bajrami, ka deklaruar se Kontrata përcakton partneritetin strategjik të ministrisë me SBASHK-un, në të gjitha dimensionet e sektorit të arsimit... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme