Arbëri

Kurti uron Kosovën, por Krasniqi thotë se ai “po e gënjen popullin”

Ta urosh a të mos e urosh Kosovën – kjo është çështja që po i shqetëson dy subjektet politike që dikur ishin një – Vetëvendosjen dhe PSD-në.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, partia e së cilit vazhdimisht e ka mohuar shtetësinë e Kosovës, duke mos i respektuar simbolet shtetërore, sot ka uruar fitoren e Kosovës në futboll kundër Maltës në kuadër të Ligës së Kombeve.

“Spektakël sot në Maltë. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është dëshmi e potencialit që kanë të rinjtë në Kosovë kur hapen mundësitë. Këta të rinj i sfidojnë shanset kundër tyre. Urime”, shkroi Kurti në Facebook, raporton Koha.net.

Menjëherë pas këtij postimi, deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, që dikur mbronte qëndrimet e Kurtit për mos-njohje të shtetit të Kosovës, ka reaguar ndaj postimit të Kurtit, të cilin e kritikon se po e gënjen popullin duke mos e pranuar se ka ndryshuar qëndrimet politike.

“Është krejt në rregull t’i ndërrosh qëndrimet në politikë. Por tërësisht hipokrite nëse i ndërron ato dhe nuk e pranon se ke ndryshuar. Pra e gënjen popullin që unë jam i njëjti”, ka nisur reagimin e tij Krasniqi.

“Albin Kurti sot e mbështeti ekipën e Kosovës (dhe shumë mirë që e ka bërë këtë), por dikur thoshte se ne kemi vetëm një kombëtare kurse kjo e Kosovës përbën tendencë për dobësimin dhe ndarjen e kombit. Albin Kurti dikur thoshte për Isa Mustafën që është argat i Serbisë dhe i PDK-së, kurse mbrëmë tha që ai e paska nisur çkapjen e shtetit (atëherë, qenka interesante se pse e votoi VV-ja për rrëzimin e qeverisë së kaluar që paska “nisur çkapjen e shtetit”?!). Albin Kurti e di se me cilat simbole luajti ekipa e Kosovës – të cilën sonte e uroi, por që s’pat lënë gjë pa thënë kundër nesh që u ngritëm në këmbë kur u lëshua himni në përvjetor të Pavarësisë”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.

Tutje, Krasniqi tha se Kurti ka ndryshuar qëndrim edhe ndaj negociatave me Serbinë dhe ndaj Erdoganit, por thotë se të vetmin qëndrim që Kurti do ta mbajë tërë jetën është ai ndaj PSD-së.

“Mos të flasim pastaj për ndryshimin e qëndrimeve të tij në raport me negociatat me Serbinë; qëndrimet ndaj Erdoganit; etj. Vetëm një qëndrim do ta mbajë gjithë jetën: qëndrimin ndaj PSD. Sepse është parimor”, përfundoi Krasniqi.

Kosova sot mposhti Maltën me rezultat 5-0 si mysafir në kuadër të Ligës D të Ligës së Kombeve. Me këtë rezultat, Kosova mbetet në pozitën e parë në Grupin 3, por e pret Azerbajxhanin në shtëpi të martën, i cili ka 2 pikë më pak se Kosova, e që një fitore eventuale e tyre do ta linin Kosovën pa kaluar në një ligë më lartë, gjegjësisht në Ligën C.