Arbëri

Pacolli s’merr pjesë në “seancën e Kuvendit për skandalet e politikës së jashtme”

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, nuk do të jetë i pranishëm në seancën e jashtëzakonshme që Kuvendi i Kosovës e ka thirrur për të premten, e ku do të diskutohet për skandalet e politikës së jashtme.

Pacolli në një përgjigje për Koha.net, ka thënë se nuk ka kohë t’i përgjigjet këtij debati sepse thotë se ka agjendë tjetër.

“Nuk do të jem aty. Kam punë të tjera, kam agjendë. S’kam mujt me shty agjendën e INTERPOL-it kurrsesi për shkak të një debati në parlament”, tha Pacolli për Koha.net.

Por kur është pyetur për më shumë detaje rreth çështjes së INTERPOL-it, Pacolli ka kërkuar të pyetet pas datës 20.

“Vetëm pas datës 20 flasim”, tha Pacolli.

Kujtojmë se Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën e opozitës për mbajtjen e kësaj seance të jashtëzakonshme për të diskutuar punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në kohën kur po raportohet për tërheqje të njohjeve të shtetit të Kosovës.

“Debat parlamentar sipas kërkesës së 42 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftimin e tyre.

Seanca e jashtëzakonshme pritet të mbahet nesër, më datë 16 nëntor duke filluar nga ora 10:00.

Ndërkaq, në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, e cila sivjet do të mbahet në Dubai, prej 18 deri më 21 nëntor, Kosova pret përkrahje të gjerë për t’u bërë pjesë e kësaj organizate. /Fortuna Shkodra