Arbëri

FOL thotë se ka keqpërdorime të mëdha në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë

Lëvizja FOL ka publikuar një sërë dyshimesh për keqpërdorime në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhe, nga monitorimi që i ka bërë kësaj kontrate milionëshe.

Elbasan Racaj nga kjo organizatë duke publikuar gjetjet ka treguar se gjatë monitorimit në tërësi të kontratës është vërejtur se procesverbali i hapjes së tenderit dhe prokurimit nuk janë të njëjtat.

"Mungesa e transparencës nga (MI) na ka shtyrë të vlerësojmë kontratën nga fillimi për të parë ku po shkojnë 88 milionë euro të buxhetit. Ne kemi gjetur se procesverbali i hapjes së tenderit dhe prokurimit nuk janë të njejta", ka thënë Racaj, raporton KTV.

Më tej, ai ka bërë edhe një përmbledhje të kontratës duke filluar me ecurinë e procesit.

"Projekti është i ndarë në 8 lote dhe arrin shifrën prej 88 milionë eurosh. Punimet kanë filluar në maj, kompanitë ankohen se punimet janë vonuar si rezultat i mungesës së shpronësimit", ka shtuar ai.

Si probleme kryesore gjatë monitorimit u përmenden mungesa e planit të prokurimit, dyshimet për kohëzgjatjen e punimeve dhe vonesat në procesin e shpronësimit.

Për këto gjetje nuk u interesuan zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, që pavarësisht se ishin të ftuar nuk qenë prezent në diskutim.

Sefer Tasholli nga komuna e Lipjanit, ka përmendur problemet që pritet t'iu shkaktohen bujqve nga ndërtimi i autostradës.

"Pjesa kah Zhegrovci është tokë pjellore dhe do të kemi probleme se bujqve do t'iu ndahet prona. Shpronësimi nuk është bërë njësoj por qytetarët brengosen se nuk është në rregull. Dikush ka blerë prona në momentin që e ka ditur ka do të kaloj autostrada në atë pjesë", ka thënë ai.

Ndryshe, kjo kontratë kap shifrën e 88 milionë eurove.