Arbëri

Tanin në KS të OKB-së: Çështje e Ushtrisë duhet të trajtohet me kujdesin më të madh të mundshëm

Descriptive Text
Image

Shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, theksoi sot nevojën për të siguruar që njerëzit në mbarë shoqërinë kosovare të jenë plotësisht të angazhuar në ndërtimin e paqes afatgjate dhe të qëndrueshme.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë, Zahir Tanin, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, foli mbi zhvillimet e fundit politike, përfshirë këtu edhe mundësitë e reja për debat të nisura nga shqyrtimi i kornizës së re për shkëmbim të territoreve të propozuar nga Kosova e Serbia.

Duke folur për kornizën e re që u propozua në Forumin Evropian Alpbach në Austri në muajin gusht pas negociatave paraprake, Tanin tha se ky dimension i ri ka krijuar shqetësim por edhe shtysë të re.

“Pavarësisht sfidave themelore dhe drojës, diskutimi ka hapur mundësinë për debat dhe shqyrtim”, ka thënë ai.

Megjithatë, Tanin insistoi që parimet themelore të dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian – përfshirë themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe – janë kyçe për arritjen e progresit në terren.

Derisa premtimi për integrim të mëtejmë në familjen evropiane mbetet shtysë e fuqishme për liderët që të arrijnë marrëveshje, siç ishte rekomandimi i Komisionit Evropian për lejimin e udhëtimit pa viza për banorët e Kosovës, Tanin tha se veprimet kundërshtuese megjithatë kanë potencial për ta penguar procesin.

“Veprimet e njëanshme, qoftë për çështje të mëdha apo të vogla, e bartin mundësinë konstante të ndezjes së situatës në terren”, deklaroi shefi i UNMIK-ut.

Rreth miratimit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës për rritjen e fuqisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Tanin tha: “Kjo çështje duhet të trajtohet me kujdesin më të madh të mundur për t’u siguruar që hapat e ndërmarrë të jenë rezultat i një procesi plotësisht përfshirës dhe tërësisht përfaqësues politik, në përputhje me kornizat relevante ligjore”.

Tanin ritheksoi përkushtimin e UNMIK-ut për prioritetizimin e ndërtimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të besimit në Kosovë, duke këshilluar punën e vazhdueshme të misionit për zbatimin e rekomandimeve kyçe që dolën nga Forumi i OKB-së për Ndërtimin e Mirëbesimit në muajin maj.

Tanin i tha Këshillit se paqja e qëndrueshme dhe afatgjate mund të ndërtohet vetëm me përfshirjen e të gjitha shoqërive dhe përfaqësuesve.

“Përkushtimet nga nivelet më të larta që mund të arrihen përmes negociatave politike, pavarësisht intensitetit të përkrahjes ndërkombëtare dhe regjionale, kanë pak gjasa të kenë rezultat nëse nuk mbështeten nga mirëkuptimi dhe mirëbesimi i plotë i komuniteteve dhe individëve të mbarë shoqërisë”, deklaroi Tanin në KS të OKB-së.