Arbëri

Finlanda përkrah Kosovën për vizat dhe Interpol

Finlanda ka konfirmuar mbështetjen për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësim në Interpol

Këtë e ka thënë sot kryetarja e Parlamentit të Finlandës, Paula Risikko, gjatë takimit me homologun kosovar, Kadri Veseli.

Të dy theksuan nevojën për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Finlandës, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe edukimit.

Veseli, i shoqëruar edhe nga nënkryetarja e Kuvendit, Aida Derguti, foli me theks të veçantë për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Sipas komunikatës nga Kuvendi, ai kërkoi përkrahjen edhe nga Finlanda që vendimi për heqjen e vizave të merret sa më shpejt brenda këtij viti dhe që edhe qytetarëve të Kosovës t’iu mundësohet lëvizja e lirë sikur të gjithë popujve tjerë në Evropë.

“Ne kemi plotësuar kriteret e parashtruara nga BE-ja për këtë proces. Në vazhdimësi po bëjmë progres në shumë fusha. Me përkushtim të madh po punojmë në shumë reforma që përshpejtojnë agjendën evropiane. Qytetarët tanë nuk e meritojnë që edhe më tutje të mbesin të vetmit në Ballkan të izoluar”, theksoi ai.

Veseli kërkoi nga Finlanda që të përkrah Kosovën për anëtarësim në Interpol, si një hap tejet i rëndësishëm për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Duke folur për procesin e fazës finale të dialogut me Serbinë, Veseli shprehu gatishmërinë e Kosovës që dialogu të vazhdojë dhe që sa më shpejt të ketë një marrëveshje mes dy vendeve, që do të normalizonte përfundimisht raportet, duke ndodhur njohja reciproke dhe duke bashkëpunuar me të gjitha vendet tjera në Ballkan në agjendën evropiane.

Në anën tjetër, Risikko theksoi se Finlanda është e interesuar të përkrahë Kosovën në fushën e ekonomisë dhe edukimit.​