Arbëri

Isufi: Dikur na kritikonin neve, tash eurodeputetët po e kritikojnë BE-në pse s’po hiqen vizat për kosovarët

Descriptive Text

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se thirrja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për një seancë plenare ku do të viheshin për votim projektligje për rendin dhe ligjin e projektligji për agjendën evropiane, nuk është shkelje, por është angazhim i vazhdueshëm i Haradinajt.

“Nuk është shkelje por angazhim i Haradinajt i cili e furnizon parlamentin me projektligje, të cilat komisionet i dërgojnë më pas në seancë plenare. Komisionet duhet të jenë më azhure sepse kemi të bëjmë me projektligje që kanë të bëjnë me rendin dhe ligjin dhe me agjendën evropiane, për çka duhet të jemi më të angazhuar. Duke pasur parasysh që jemi në një fazë të rëndësishme të proceseve të Kosovës, Interpoli, Ushtria, liberalizimi, dhe duhet të japim provimin për të treguar se jemi seriozë”, ka thënë Isufi në Interaktiv të KTV-së.

Ai tha se eurodeputetët Igor Sholtes dhe Tanja Fajon i kanë reaguar Bashkimit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave.

“Derisa më parë kritikoheshim ne, tash po ka reagime ndaj BE-së se pse nuk po kryhet obligimi ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Duke folur për çështjen e rrëzimit të Qeverisë, ku së fundmi edhe Lista Serbe është deklaruar se do t’ua sigurojë numrat opozitës, Isufi ka thënë se ky kërcënim nga partia serbe ka qenë i vazhdueshëm dhe nuk është asgjë e re.

“Shpeshherë Lista Serbe është dirigjuar nga Beogradi. Janë larguar shpesh nga Qeveria dhe janë kthyer pa zhurmë. Edhe për taksën e importit të mallrave serbe ka reaguar si Serbia, ashtu edhe Lista Serbe. Por duhet ta dinë se përderisa janë të zgjedhur të qytetarëve serbë dhe paguhen nga buxheti i Kosovës, duhet të jenë të përgjegjshëm ndaj votuesve të tyre. Nuk mund të bëhet asnjë shantazh nga ta, sepse Qeveria e Kosovës është e këtij vendi dhe të gjithë ata që marrin përgjegjësi për të drejtuar këtë vend, duhet të jenë të përgjegjshëm”, theksoi shefi i GP të AAK-së, Ahmet Isufi.

I pyetur se si e komenton qëndrimin e LDK-së që ka thënë se do t’i shfrytëzojë numrat e Listës Serbe për të rrëzuar Qeverinë, Isufi tha: “Nuk është çudi”.

Tutje, Ahmeti tha se pozita e ka shumicën në Kuvend, edhe me largimin e Listës Serbe, ndërsa shtoi se “kjo po tregohet edhe me aprovimin e shumë ligjeve, qoftë me Listën Serbe qoftë pa të”.

“Kjo sepse deputetët e Kuvendit nuk janë vetëm deputetë të partisë, por të qytetarëve të Kosovës, dhe janë të ndërgjegjshëm që u shërbejnë këtyre qytetarëve. Projektligjet që janë vitale për Kosovën duhet të aprovohen nga të gjithë, dhe në këtë aspekt, edhe Qeveria edhe Kuvendi funksionojnë, përpos në disa raste kur s’ka kuorum. Madje kjo ndodhë shpesh, sepse edhe pozita edhe opozita kanë shumë numra. Megjithatë, për ligjet e rëndësishme të vendit janë votuar edhe nga e opozitës që tregon për një vetëdije të deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, u shpreh ai.

Shefi i GP të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se as opozita nuk është e gatshme të shkojë në zgjedhje sepse ka divergjenca të mëdha edhe mes tyre.

“Kanë hendikepet e tyre, siç ndarjet që u kanë ndodhur, por këto janë probleme të tyre, megjithatë. Por, kurdo që i kanë 61 vota, ata e thërrasin seancën për rrëzimin e qeverisë. Mirëpo, para se të vendoset për këtë, duhet të mendohet për proceset që e presin Kosovën”, deklaroi Isufi.

Deputeti i AAK-së tha se rezoluta e propozuar nga opozita për dialogun me Serbinë, që kërkonte ndalimin e presidentit Thaçi të negociojë në emër të shtetit të Kosovës, nuk është votuar si e tillë siç e ka propozuar opozita, por është plotësuar nga partitë në pozitë, e të cilën më pas nuk e votuan opozita.

“Ne kemi kontribuuar në hartimin dhe votimin e një rezolute të harmonizuar që ngërthen në vete të gjitha elementet që po i themi publikisht. Teksti që u ofrua nga të gjitha palët, nuk ka dallim nga teksti i rezolutës së propozuar nga LDK-ja. Nëse dikush ka qenë kundër ndryshimit të kufijve, ka qenë kryeministri Haradinaj”, u shpreh Isufi, duke kujtuar paralajmërimin për luftë të kryeministrit në rast të prekjes së kufijve.

“Nga dialogu duhet të bëhet pranimi reciprok i shteteve, e pastaj të hapen temat tjera me Serbinë, sepse ka shumë tema të rëndësishme. Forcimi i Kosovës si shtet dhe angazhimi për integrimet mundëson që edhe të relaksohen raportet, por jo duke hapur plagë të reja që mund të shkaktojnë edhe konflikte. Të gjitha partitë politike janë për këtë pozicion, dhe konsideroj se askush nuk është i kërcënuar e as shantazhuar për të mbrojtur idenë e ndryshimit të kufijve”, tha Isufi.

Kushti i AAK-së për votimin e rezolutës për dialogun, sipas Isufit, është që brenda saj duhet të theksohen elementet kryesore në mbrojtje të të gjitha elementeve shtetërore, siç janë: mos-cenueshmëria e integritetit territorial e mbrojtja e kushtetutshmërisë dhe mos prekja e kufijve.