Arbëri

Putini mbledh Kuvendin e Kosovës, seanca pritet të mbahet të premten

As kryeministri Ramush Haradinaj, e as ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, nuk do të jenë në seancën e jashtëzakonshme të së premtes të thirrur nga opozita për skandalet në politikën e jashtme të Kosovës.

Por, pavarësisht kësaj, Vetëvendosje thotë se ata do të jenë aty, e mbi të gjitha të diskutojnë për takimin e presidentit Hashim Thaçi me homologun e tij rus, që për Lëvizjen përbën skandal, raporton KTV.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se është shqetësues që presidenti Thaçi po zëvendëson aleatët, si Gjermania, me Rusinë.

Por, Arben Gashi i LDK-së, thotë se takimi Thaçi-Putin është në kuadër të detyrave kushtetuese të presidentit që të mbajë takime me përfaqësues të jashtëm, por nëse është diskutuar çështja e territorit, është shkelje.

Por, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se takimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, është sinjal që të votohet sa më shpejt rezoluta e opozitës për ndalim të dialogimit për kufijtë e Kosovës.

Ajo tha se takimi i Thaçit me Putinin dhe mosdëgjimi i kancelares gjermane, Angela Merkel, e kanë rënduar shumë shtetësinë e Kosovës.

Por, për zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, i cili vjen nga radhët e PDK-së, ky takim është një ngjarje pozitive dhe njohje e realitetit të Kosovës së pavarur nga ana e Rusisë.

Sipas tij, është për keqardhje reagimi i disa partive politike në Kosovë, të cilat funksionojnë në skema bardh e zi të të menduarit dhe nuk i njohin zhvillimet ndërkombëtare përtej pragut të partive të tyre.