Arbëri

Mustafa: Do të ishte normale që edhe Serbia të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Kosova e meriton të jetë anëtare e Interpolit.

Në një postim në Facebook, Mustafa ka thënë se policia e Kosovës do të ishte vlerë e shtuar e kësaj organizate ndërkombëtare.

Sipas tij, duke marrë parasysh se një anëtarësim i tillë do të shtonte sigurinë në rajon, edhe Serbia do të ishte normale që të përkrahte anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Kosova e meriton të bëhet anëtare e Interpolit. Policia e Kosovës është e përgatitur mirë, e trajnuar dhe e disiplinuar dhe si e tillë do të jetë vlerë e shtuar e kësaj organizate ndërkombëtare të policisë, e cila ndjek dhe lufton krimin anekënd botës. Këtu qëndron edhe arsyeja pse vendet më demokratike janë në përkrahje të Kosovës, sepse ato kanë investuar shumë për paqe dhe siguri, dhe kanë nevojë për aleatë që luftojnë krimin dhe ndjekin kriminelët e të gjitha përmasave. Vendi ynë, jo vetëm se ka nevojë por e ka edhe për detyrë ti kontribuojë kësaj sigurie. Do të ishte normale që edhe Serbia të përkrah shtetin fqinj, Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai.