Arbëri

Haradinaj thotë se Thaçi s’duhet të përzihet në çështjet e qeverisë

Descriptive Text

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj i është përgjigjur pyetjes së presidentit Hashim Thaçi i cili një ditë më parë në një konferencë për media të mbajtur në Paris ka thënë se Qeveria duhet të tregojë nëse i ka votat.

Pas përfundimit të shënimit të ceremonisë së 100- vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kryeministri Haradinaj ka thënë para gazetarëve se janë dy pushtete të ndara dhe se presidenti duhet ta respektojë këtë, raporton Koha Ditore.

“Janë pushtete të ndara, besoj që presidenti duhet ta respektojë këtë”, ka deklaruar shkurt Haradinaj.

Një ditë më parë, presidenti Hashim Thaçi gjatë një konference për media në Paris, ka thënë se nëse Qeveria nuk i ka votat duhet të shikohen mundësitë e interpretimeve që janë në përputhshmëri me Kushtetutën se ata që e kanë shumicën e vazhdojnë qeverisjen.

“Duhet të konfirmojë edhe zyrtarisht a e ke shumicën a po nuk e ka. Nëse Qeveria aktuale konfirmon se e ka shumicën vazhdon punën, nëse nuk konfirmon shumicën shikohet mundësia e interpretimeve tjera që janë në përputhshmëri me Kushtetutën që ata që bëjnë shumicën vazhdojnë qeverisjen”, ka deklaruar presidenti Thaçi./Edona Kutleshi