Arbëri

Haradinaj përkujton ushtarët britanikë e amerikanë

Kosova dhe populli nuk do ta harrojë asnjëherë sakrificën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Mbretërisë së Bashkuar dhe të ushtarëve britanikë që shërbyen në misionin paqeruajtës në Kosovë.

Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj në Ditën e Përkujtimit të Britanisë së Madhe për të gjithë të rënët e saj, në të gjitha luftërat, që nga Lufta e Parë Botërore, që u mbajt në nderim dhe përkujtim të dëshmorëve britanikë, veçanërisht të atyre që humbën jetën në shërbim në Kosovë, ceremoni kjo e organizuar nga Ambasada Britanike në Kosovë.

Pasi bëri homazhe pranë pllakës përkujtimore me emrat e ushtarëve britanikë, Haradinaj vlerësoi lart ndihmën e pakursyer që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës në të gjitha etapat e shtetndërtimit dhe konsolidimit, duke mos harruar edhe kontributin që kanë dhënë ushtarët britanikë që shërbejnë në kuadër të misionit të KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në vendin tonë.

Një fjalë para të pranishmëve e mbajti ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O'Connell, i cili tha se sot kujtojnë të gjithë ata që kanë dhënë jetën e tyre për të mbrojtur Mbretërinë e Bashkuar dhe në veçanti ata që shërbyen në Kosovë.

Të pranishëm ishin edhe ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama, ambasadorë të akredituar në Kosovë, pjesëtarë të KFOR-it dhe personalitete tjera.

Ndërkaq, po gjatë ditës së sotme, kryeministri Haradinaj, me rastin e 11 Nëntorit-Ditës së Veteranit, ka përkujtuar guximin dhe sakrificën e veteranëve të luftës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Në mbrojtje të vendit të tyre dhe kombeve tjera, ata i sollën botës lirinë dhe paqen. Republika e Kosovës mbetet përherë mirënjohëse ndaj SHBA-së për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në çlirimin dhe ngritjen e vendit tonë. Heronjtë amerikanë janë edhe heronj të Kosovës”, ka theksuar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.