Arbëri

LDK-ja “ngrin” rezolutën për dialog një ditë para takimit Thaçi-Vuçiq

Kuvendi i Kosovës nuk ka tentuar fare t’ia vendosë presidentit Thaçi vijat e kuqe në dialog me Serbinë, një ditë para se ai të takohet me homologun serb, Aleksandar Vuçiq.

Me kërkesë të iniciuesit të rezolutës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo çështje është tërhequr nga rendi i ditës në seancën e së mërkurës. Propozuesi, por edhe partitë në pushtet janë munduar që këtë zhvillim ta kalojnë në mënyrë të heshtur, shkruan Koha Ditore.

Zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Armend Zemaj, ka shfrytëzuar mbledhjen e Kryesisë, që në agjendë kishte një çështje tjetër, për të kërkuar tërheqjen e votimit të rezolutës.

Burime të “Kohës Ditore” brenda mbledhjes kanë thënë se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka ironizuar me zmbrapsjen e LDK-së duke e pyetur Zemajn se “ku është Avdullah Hoti dhe pse nuk ka ardhur për ta arsyetuar tërheqjen nga ajo të cilën e ka kërkuar qe një kohë të gjatë”. Ndërsa Zemaj i ka thënë atij se “ne jemi për konsensus, para se rezoluta të hidhet në votim”. Njëkohësisht, Zemaj ka kërkuar që kjo punë të mos bëhet e madhe./Fitim Gashi

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)