Arbëri

Osmani: Deputetët e PDK-së janë në kthetra të Thaçit

Deputetja e Lidhjes Demokratike, Vjosa Osmani, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, fajin për dështimin e rezolutës së opozitës kundër presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh, ia ka hedhur deputetëve të pozitës që nuk morën pjesë në seancë gjatë votimit.

Osmani ka thënë se deputetët e PDK-së janë në kthetrat e presidentit Thaçi dhe për këtë shkak ata po mbrojnë interesat e tij, derisa ka thënë se AAK-ja dhe Nisma po i frikësohen kërcënimeve të PDK-së për dalje nga qeveria nëse votojnë propozimet e opozitës.

“Për shkak se PDK-ja është në kthetrat e Thaçit, ai temën e kufijve e hapi për hallin e tij personal. Deputetët janë në presionin e tij dhe i mbrojnë qëndrimet e tij. Sa i përket AAK-së dhe Nismës, ata shprehën gatishmëri [për votimin e rezolutës], por na kanë bërë të qartë që nëse nuk voton PDK-ja, nuk do ta votojnë as ata”, ka thënë deputetja Osmani që ka shtuar se është në rrezik shtetësia e Kosovës nëse bisedohet për shkëmbim territoresh me Serbinë.

“Nuk është problemi heqja e një cope territori, është problemi i rrëzimit të fondamentit të shtetësisë së Kosovës. Prej deklaratës së pavarësisë, kushtetutës dhe opinionit e GJND-së, e kanë konfirmuar statusin e Kosovës me këta kufij”, ka thënë ajo.

Duke mos dashur të flasë me emra, deputetja Osmani ka thënë se zyrtarë të lartë të qeverisë i kanë njoftuar për kërcënimet që u ka bërë presidenti Thaçi nëse ata bëhen bashkë në iniciativat e opozitës pa pajtimin e PDK-së.

“Nuk do të flas me emra, por ka zyrtarë të lartë që na njoftojnë se janë të kërcënuar nga vetë presidenti që nëse bëhen bashkë me opozitën pa pajtimin e PDK-së atëherë do t’i largojë këta deputetë nga pushteti”, ka thënë Osmani.

“Pavarësisht kërcënimeve të tilla dhe duke ditur pasojat nëse plani i tij shkon përpara, askush nga ne nuk duhet të mendoj për veten, por për shtetin e tij, të ardhmen e gjeneratave të ardhshme”, ka shtuar deputetja e LDK-së.

Deputetja e LDK-së ka thënë se tema e shkëmbimit të territoreve është përhapur nga Thaçi me idenë që ndarja e Kosovës të bëhet proces më normal. Ajo ka kritikuar Thaçin për përfshirjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në këtë proces dhe e ka quajtur naive bashkimin e Kosovës Lindore.

“Tema e shkëmbimit është përhapur për ta bërë normale ndarjen e Kosovës. Ai i ka përfshirë shqiptarët e Luginës të cilët nuk i ka vizituar asnjëherë sa ishte kryeministër dhe tani president dhe tani të presim nga ky njeri se do ta bashkojë Kosovën me atë anë, është naivitet”, ka thënë Osmani.