Arbëri

Ministri i kënaqur me dinamikën e punëve rreth “Kosovës së Re”, opozita dyshuese

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka raportuar para Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik lidhur me mbarëvajtjen e procesit të ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”.

Ai ka thënë se janë parakualifikuar kompanitë dhe se ofertuesit do të i dërgojnë ofertat e tyre deri në fund të vitit që të dihet saktë se sa do të kushtojë ndërtimi.

“Në pjesën e parë të vitit 2019 do të fillojë ndërtimi. Ky projekt është projekti që më së shumti janë bërë studime si dhe nga Banka Botërore, ku u tha se është projekti më i mirë dhe duhur për energji”, ka thënë Lluka, raporton Koha Ditore.

Ai ka thënë se projekti është duke ecur sipas dinamikës së paraparë.

“Kanë filluan diskutimet me ata që kanë shprehur diskutim për financim dhe ata që do të investojnë do ta përdorin teknologjinë e fundit më të renë dhe që i plotëson standardet e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

I pyetur nga deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu, se cila do të jetë kostoja e garancionit të sovranit nëse projekti nuk kalon në Kuvend, Lluka ka thënë se ndëshkimet do të jenë rreth 19.7 milionë euro.

Deputeti Glauk Konjufca ka thënë se kostoja e TC “Kosova e Re” do të jetë e papërballueshme të Kosovës për shkak se ngritët çmimi. Bazuar në një analizë të Hekuran Muratit, Konjufca ka thënë se kostoja vjetore për energjinë elektrike vetëm nga ky termocentral do të jetë së paku 240 milionë euro nëse ai operon me 75% kapacitet (rreth 3 GWh), e mund të arrijë deri në 340 milionë euro nëse operon me kapacitet të plotë. Në analizën e Hekuran Muratit thuhet se për periudhën prej 20 vjetësh, qytetarët e Kosovës do të paguajë 5-7 miliardë euro për këtë marrëveshje.

Ministri Lluka ka thënë se janë duke investuar për efiçiencë të energjisë që të ulin kërkesën për energji me pagesë. Ka thënë se do të rritet kogjenerimi që është kosto më e lirë për ngrohje të qytetarëve. Sipas tij, kostoja e energjisë nuk do të jetë më e shtrenjta në rajon.

“Kemi letrën që Banka Botërore ka thënë se do të përkrahë, por deri para 5 muajve kur ka ndryshuar politikat e veta”, ka theksuar Lluka.

Deputeti Sejdiu ka thënë se kanë pasur ZRRE-në në raportim dhe se kanë kërkuar që të bëjnë një vlerësim të kostos në amvisëri, ku sipas ZRRE-së rrit çmimin për 56 për qind. Ai ka pyetur se a po favorizohet një ndërmarrje private dhe a po shkelet Marrëveshja e Stabilizim Asocimit. Ka pyetur se a është përfunduar strategjia për linit pasi kjo është pjesë e garancionit të sovranitetit.

Derisa ministrin Lluka iu referua çmimit prej 80 euro për MWh si çmim tavan, deputeti Sejdiu ka thënë se në kontratë nuk përmendet çmimi tavan.

Por deputeti Memli Krasniqi ka thënë se nëse kompania kalon çmimin prej 80 euro Qeveria ka drejtë të shkëpusë kontratën.