Arbëri

Humolli i habitur si kryeakademiku Islami pranoi të kryesojë Komisionin për matje të territorit

Në “Interaktiv” të KTV-së, Fitim Humolli ka folur edhe për raportin e tij me kryetarin e Komisionit për matjen e territorit të Kosovës, kryeakademikun, Hivzi Islami.

Ai ka thënë se nuk mundet t’i komentojë sjelljet e ish-profesorit të tij.

“Ai i ka komentuar sjelljet e mia pikërisht, sepse unë kam kundërshtuar, por unë nuk mund të dalë nga vetja dhe t’i komentojë ato që ai ka thënë, sepse ka qenë profesor i imi dhe në këtë cilësi do të mbetet për sa të jetë gjallë”, ka thënë Humolli.

Por i pyetur se a ka qenë Hivzi Islami personi adekuat për t’i prirë këtij komisioni, Humolli i është përgjigjur se “absolutisht jo”.

“Bile habitem se si ka pranuar ta marrë një përgjegjësi të tillë sepse nuk e ka thirrjen profesionale. Ai është e vërtetë që është gjeograf, është demograf që ka kontribute në këtë fushë por biografia e tij nuk flet asgjë për kadastrin, topografinë, gjeodezinë, hartografinë”, ka thënë ai.

Humolli u tërhoq sot nga Komisioni një ditë para se të bëhet publike puna e kësaj trupe të emëruar nga Qeveria e Kosovës për matje të territorit të Kosovës. Ai mbetet me bindjen se me këtë mënyrë se si Kosova e ka demarkuar kufirin me Malin e Zi, Kosova humb territor.