Arbëri

Fajon tregon se sa mund të zgjatet liberalizimi nëse nuk kalon demarkacioni në Kuvend

Eurodeputetja, njëherësh raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka dhënë një intervistë për emisionin Interaktiv të KTV-së.

Në këtë intervistë, eurodeputetja Fajon ka folur gjerë e gjatë për çështjen e liberalizimit të vizave me Kosovën, si dhe për kushtet që duhen përmbushur në mënyrë që qytetarët e vendit të gëzojnë lëvizjen e lirë në zonën Schengen.

Ajo flet edhe për mundësinë e shtyrjes së vendimit për heqjen e vizave në rast se nuk ratifikohet në Kuvend marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

Veç tjerash, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, flet edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa inkurajon Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë këtë dialog, sikurse edhe procedimin për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, raporton Koha.net.

KTV: Mirë se vini në KTV, zonja Fajon.

Fajon: Faleminderit.

KTV: Faleminderit që jeni këtu. Keni pasur një seri takimesh sot. Ku qëndron Kosova në procesin e saj të euro-integrimeve?

Fajon: Po, kam pasur shumë takime sot për të diskutuar kryesisht procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, për çka jam raportuese në Parlamentin Evropian. E kam përsëritur në të gjitha takimet e mia se jam thellësisht e përkushtuar për ta arritur liberalizimin e vizave për Kosovën. Natyrisht, tani në mes qëndron votimi në Kuvend i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Kam diskutuar për situatën aktuale me përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Natyrisht, unë dua ta vë në votim në Parlamentin Evropian dhe ta bëj realitet liberalizimin, por ka disa pengesa në këtë rrugë. I kam inkurajuar politikanët në Kosovë që të bëjnë çka është në duart e tyre, u kam bërë thirrje të gjithë politikanëve që të mos e mbajnë peng këtë proces, sepse në fund me liberalizimin përfitojnë qytetarët. Është një proces i gjatë dhe kërkues. I kemi kaluar disa faza të vështira. Tani është edhe çështja e përmbushjes së kriterit për luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe aty ka përparim, por duhet vazhduar përpjekjet për të luftuar korrupsionin. Por, me sa e kuptoj unë kushti i fundit i mbetur është me të vërtetë vetëm demarkacioni dhe ratifikimi i tij. E di që është një proces i vështirë dhe i komplikuar. Por, si euro-deputete dhe mike e Kosovës mund t’ju them se unë jam e përkushtuar për ta vazhduar këtë proces për ta parë Kosovën pa regjim vizash, sa më shpejt që është e mundur.

KTV: Çfarë ju thanë politikanët për demarkacionin? Është e qartë që kanë pozicione të ndryshme, në Qeveri dhe në opozitë.

Fajon: Është e qartë se pozicionet janë të ndryshme. Qeveria është e bindur se marrëveshja është e duhur, dhe se Komisioni, që do ta publikojë raportin e ri, do ta konfirmojë këtë pozicion. Unë nuk dua të futem në këtë mosmarrëveshje për kufirin ndërmjet dy shteteve. Por, secili nga liderët partiakë e shpjegon pozicionin e vet. Është një situatë e vështirë dhe nuk e di nëse ka shumicë në Parlament për aprovim. Më vjen keq për situatën, pasi që vij nga një shtet si Sllovenia, i cili ka pasur një proces të gjatë dhe të dhimbshëm për vendosjen e kufirit me Kroacinë. Ajo që ne kemi mësuar si leksion është se në proceset e ardhshme nuk do të ketë asnjë shtet tjetër në Ballkanin Perëndimor që do të jetë në gjendje t’i bashkohet Bashkimit Evropian pa rregulluar kufijtë fillimisht. Çka është kruciale besoj është që të kuptohet se këto kushte janë dakorduar nga të dyja palët. Kosova dhe Komisioni Evropian janë pajtuar për listën e kushteve dhe çështja e kufirit është diçka në të cilën unë nuk kam ndikim. Demarkacioni duhet të kryhet!

KTV: Këtë doja të pyesja. A ishte kërkesë e Qeverisë së Kosovës për të përfshirë demarkacionin si kusht për liberalizimin e vizave?

Fajon: Këtë unë nuk e di, por mund të them se zakonisht, e ky ishte rasti edhe me Kosovën, kushtet për liberalizimin janë dakorduar nga të dyja palët, Qeveria dhe Komisioni. Përderisa jemi në këtë pozicion, dua ta ritheksoj se ne si politikanë duhet ta kuptojmë cili është qëllimi ynë kryesor. E, ky është që t’u shërbejmë qytetarëve! Liberalizimi i vizave në shtetet e Ballkanit Perëndimor ka sjellë progres të madh në kuptimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik, dhe në kontaktet mes njerëzve. U ka hapur mundësi gjeneratave të reja. Dhe, këtu unë si euro-parlamentare, besoj fuqishëm pse duhet të bashkëpunojmë për këtë qëllim të përbashkët. E kuptoj kompleksitetin e çështjes së kufirit dhe unë nuk mund ta zgjidh këtë. Por, unë shpresoj që Qeveria dhe Parlamenti do të binden për miratimin në mënyrë që të mos humben edhe shumë vite të tjera dhe të sjellin rezultate të prekshme për qytetarët.

KTV: Por, në fakt është vetë Qeveria dhe të gjithë të tjerët që e quajnë këtë kusht të padrejtë. Është kusht që vlen vetëm për Kosovën. Asnjë shteti tjetër nuk i është kërkuar demarkacioni për të marrë liberalizimin.

Fajon: Edhe njëherë, në rajon e kemi mësuar leksionin se asnjë shtet nuk mund të bëhet pjesë e BE-së pa i zgjidhur kufijtë.

KTV: Por, ky nuk është kusht që ne të bëhemi pjesë e BE-së. Jemi larg nga kjo.

Fajon: Ky do të jetë kusht për secilin shtet dhe tashmë kjo është retorika e Brukselit. Sinqerisht, nuk mendoj se ia vlen që ta diskutojmë gjatë këtë. Unë jam në politikën evropiane tash e 15 vjet. E kuptoj shumë mirë si funksionon Komisioni dhe shtetet anëtare. Nuk duhet të harrojmë se po jetojmë në kohë të vështira për Bashkimin Evropian. Na duhet qasje pozitive dhe mbështetje në rajon për të ecur përpara. Ju mund të thoni se ky nuk ishte kusht në të kaluarën, por fakti është se ky është kusht sot. Dhe, fakti tjetër është që Qeveria e Kosovës u pajtua për këtë. Prandaj, duhet ecur përpara në këtë formë dhe besoj se nuk na ndihmon të shohim diferencat në rajon. Sepse, shteti i radhës që vjen për pranim do të duhet ta kryejë këtë proces.

KTV: Por, janë qytetarët e Kosovës që ndiejnë se po trajtohen në mënyrë të padrejtë nga Bashkimi Evropian.

Fajon: Unë do të pyesja si është situata sot në Kosovë dhe para shumë vjetësh. Unë sot e dëgjova ambasadoren e BE-së të thotë se disa shtete në rajon kanë pasur kushte edhe më të vështira për të marrë liberalizimin. Do të doja të kemi kujdes këtu. Kur bëhet fjalë për korrupsionin, unë nuk do të thosha se kjo çështje është zgjidhur. Edhe pse kemi parë përparim në zgjidhjen e çështjeve. Prandaj, ka shumë kritere përpara që Kosova duhet t’i përmbushë. Do të isha shumë e kujdesshme për të thënë se është kusht i padrejtë për Kosovën, sepse mendoj se nga ana ime dhe kolegët që po e mbështesim Kosovën, po bëhet gjithçka që është e mundur për ta sjellë Kosovën më afër Bashkimit Evropian, dhe nëse kemi një grumbull rregullash që duhet respektuar, këtë duhet ta bëjë secili, shteti im apo ndonjë tjetër në rajon.

KTV: Në fakt, ajo që qytetarët e Kosovës duan është që ju të jeni më të ashpër me kushtin e krimit dhe korrupsionit, e jo demarkacionit...

Fajon: Absolutisht. Ky nuk është tregim që ka përfunduar. Është vetëm fillimi i asaj që është pranuar se ka progres. Është e nevojshme që të punohet në drejtimin e luftimit të krimit dhe korrupsionit. Në raportet e fundit të progresit për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor thuhet se luftimi ndaj krimit të organizuar e korrupsionit është prioritet. Prandaj, do të duhen shumë përpjekje dhe shumë kohë për të pasur arritje të rëndësishme. Por, ajo që ne e kemi pranuar është se ka masa dhe tani duhet zbatimi i tyre.

KTV: A ju ka premtuar Qeveria e Kosovës se do ta dërgojë muajin tjetër demarkacionin për votim në Kuvend?

Fajon: Ata nuk kanë nevojë të më premtojnë mua. Ata duhet të kryejnë punën e tyre. Unë nuk u kam kërkuar që të më premtojnë. Kjo është çështje e brendshme e Kosovës. Ata më informuan për situatën. Unë jam takuar sot me ministrin e Brendshëm, i cili më ofroi qëndrimin e tij për çështjen dhe gjithashtu më shprehu shqetësimet e tij, por në fund edhe shpresën se do të ketë votim në Kuvendin e Kosovës, dhe nëse kjo votë do të jetë negative do të humben disa vite.

KTV: Vite?

Fajon: Unë nuk e di se si do të jetë Komisioni i ri, Parlamenti i ri, nuk e di si do të jetë situata në BE apo në Kosovë atëherë. Nga përvoja e problemit ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë, dhe nga përvojat e tjera me problemet kufitare, e di që mund të marrë me vite të tëra derisa të zgjidhet.

KTV: Pra, nëse Kosova vendosë ta çojë kufirin në arbitrazh do të zgjasë me vite të tëra?

Fajon: Kjo është përvoja jonë, ju mbase do të keni tjetër përvojë.

KTV: Por, ju e keni të qartë që nuk është vetëm opozita që e kundërshton.

Fajon: E kam plotësisht të qartë...

KTV: Sepse, janë deputetët e partive në pushtet që me votën e tyre e bllokojnë...

Fajon: Për të qenë shumë të qartë, unë nuk jam në Kosovë për ta zgjidhur çështjen e kufirit apo për ta zgjidhur situatën ndërmjet Qeverisë, opozitës apo ndonjë politikani. Nuk jam këtu as për të dhënë këshilla apo instruksione. Jam këtu për të ndihmuar dhe për të dhënë mbështetje dhe qëllimi im është liberalizimi i vizave për Kosovën.

KTV: Nëse Parlamenti e miraton demarkacionin, sa kohë do t’i duhet BE-së për procedurat deri në vënien në praktikë të liberalizimit?

Fajon: Hapi i ardhshëm, dhe për këtë kam garanci nga Komisioni, do të ishte raporti pozitiv para pushimeve të verës. Kjo do të thoshte se Kosova i ka përmbushur kriteret dhe unë pastaj menjëherë do ta hidhja në votim në Parlamentin Evropian, si raportuese. Kështu do të kishim dy institucione që do të kenë dhënë dritën e gjelbër. Pastaj, nis puna me shtetet anëtare. Do të jetë ende një proces, por do të ishim në rrugë të mirë për të ecur përpara.

KTV: Por, do të zgjaste edhe disa muaj, apo jo?

Fajon: Nuk dua të spekuloj.

KTV: Nga përvoja me shtete e tjera...

Fajon: Kjo kërkon bashkëpunim nga të gjitha palët e përfshira në proces. Mund të marrë muaj, javë, nuk e di.

KTV: Dhe, ndoshta një vit.

Fajon: E mundshme.

KTV: Ka pasur thirrje të vazhdueshme në Kosovë për ndërprerjen e dialogut me Serbinë për shkak të një serie incidentesh, si treni, muri dhe arrestimi i zotit Haradinaj. Si i përgjigjeni kësaj? A duhet të vazhdojë dialogu dhe a ka ndonjë dobi nga kjo?

Fajon: Dialogu gjithsesi duhet të vazhdojë dhe, nëse i shohim marrëveshjet e arritura, ka pasur shumë përfitime. Dialogu është aty për të lehtësuar jetët e banorëve në të dyja anët e kufirit. Mendoj se kemi arritur në një fazë kruciale. Kemi pasur tani dy takime të nivelit të lartë, kurse njëri fatkeqësisht është anuluar. Pajtohem se nuk ka nevojë për provokime dhe i nxis të dyja palët që të përmbahen nga provokimet që përmendët, por dialogu duhet të vazhdojë. Kemi parë zhvillime pozitive dhe shpresoj që së paku në nivelin teknik të vazhdojë sa më parë që është e mundur.

KTV: A shihni fund të dialogut, sepse ka së paku 5 vjet që zgjat dhe cili duhet të jetë rezultati përfundimtar?

Fajon: Mendoj se rezultati kryesor është që të lehtësojë jetën e qytetarëve, që të krijojë kushte që njerëzit të jetojnë në një ambient më të sigurt, më të drejtë dhe më të mirë. Shpresoj që një nga hapat e radhës që duhet të diskutohen është themelimi i Asociacionit, si një nga pikat e marrëveshjes së dakorduar në Bruksel. Kjo është çka shohim nga të dyja palët, pasi që ka pasur gjëra që kanë shkuar në dobi të Kosovës, nuk mund ta mohoni këtë. Është e rëndësishme që dialogu të vazhdojë.

KTV: Pra, e nxisni Qeverinë e Kosovës që ta krijojë Asociacionin e Komunave Serbe?

Fajon: Mendoj se duhet të nisë diskutimi, të shihet se çka do të ketë në statutin që do të diskutohet në Kuvend dhe pastaj në nivel të dialogut në Bruksel. Nuk mund të shkojë në shumë detaje, pasi që kjo është diçka që do të diskutohet në dialog.

KTV: Ministri i Jashtëm Hoxhaj, ka thënë se Kosova po planifikon që këtë vit të aplikojë për statusin e vendit kandidat. Sa realiste është kjo për Kosovën?

Fajon: Dua të them se së fundi ju festuat përvjetorin e pavarësisë. Dhe, nëse shikoni Kosovën ndër vite, para 9 vjetësh apo më shumë, mund të them se keni bërë përparim të jashtëzakonshëm. Prillin e kaluar keni nisur zbatimin e MSA-së, pastaj keni Agjendën e Reformës Evropiane. Ndoshta, kjo për qytetarët mund të duket abstrakte, por në praktikë kjo do të thotë shumë reforma që do ta lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe do ta bëjnë jetën më të mirë në Kosovë. Po flasim për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për gjyqësorin e pavarur, për lirinë e medias, për një ekonomi më të shëndetshme e më të mirë, hapjen e vendeve të reja të punës, investimet e jashtme. Të gjitha këto janë të rëndësishme për njerëzit që jetojnë në Kosovë. Dialogu dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, stabiliteti në rajon, të gjitha këto kontribuojnë për jetë më të mirë të qytetarëve.

KTV: Por, vend kandidat për BE këtë vit?

Fajon: Nuk e shoh këtë. Nuk e di çka planifikon Kosova të bëjë, por them se është shumë e vështirë që të spekulohet për këtë. Nuk kam guxim ta bëj këtë.

KTV: Por, është shumë herët për Kosovën, apo jo?

Fajon: Është shumë herët për të spekuluar. Duhet parë fillimisht çfarë po ndodh me dialogun, çfarë do të ndodhë me procesin e liberalizimit të vizave. Duhet parë se cili do të jetë përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për mënyrën e vazhdimit.

KTV: Por, ka disa kushte që duhen plotësuar për të qenë vend kandidat dhe Kosova është larg nga plotësimi i kritereve, apo jo?

Fajon: Nuk do të thosha që është larg. E përsëris, që vitin e kaluar kemi pasur arritje të jashtëzakonshme. Ky vit do të ishte i jashtëzakonshëm gjithashtu nëse arrijmë liberalizimin e vizave. Shkon hap pas hapi. Procesi i pranimit në BE është më kërkues tani se sa që ka qenë para ca vitesh. Shkon hap pas hapi, më shumë përkushtim. Por, nëse i kthehemi liberalizimit të vizave, do ta them qartë sot se topi është në fushën e Kosovës. Është shumë e rëndësishme që politikanët e Kosovës të jenë të bashkuar në qëllimin për pranim në BE. Nuk mund t’ju them data dhe as të flas në emër të Kosovës sa shpejt do të ecë përpara me këtë proces.

KTV: A do të jetë BE-ja aty, kështu siç e njohim, kur Kosova të jetë e gatshme të bëhet pjesë e saj?

Fajon: Po, dua që BE-ja të jetë aty, sepse nuk kemi alternativa të tjera. Unë besoj sinqerisht se BE-ja nuk mund të kompletohet pa Ballkanin Perëndimor. Na duhet Ballkani Perëndimor, sot ndoshta më shumë se kurrë, sepse kemi sfida të përbashkëta, sfida për të cilat pajtohemi, si globalizimi, për ekonomi më të shpejta dhe më të forta, kemi sfidat e ambientit dhe energjisë, terrorizimin, migrimin. Të gjitha këto janë sfida që asnjë shtet i BE-së, e as Kosova nuk mund të ballafaqohen si të vetme. Ndoshta sot Bashkimi Evropian nuk është i njëjtë, siç ka qenë disa vite më parë, por jam e bindur se do të mbetet fuqishëm e lidhur në fushat e interesit të përbashkët.

KTV: Një pyetje e fundit. Ne ju njohim juve tash e një kohë të gjatë. Ju konsideroheni heroinë në Shqipëri për punën tuaj për liberalizimin. Duket pak e vështirë ta fitoni këtë status në Kosovë, për shkak të vonesave në procesin e liberalizimit të vizave.

Fajon: Puna ime nuk është të jem heroinë. Puna ime është t’u shërbej qytetarëve. Nëse mund të ndihmoj Kosovën, ngjashëm siç kam ndihmuar Shqipërinë para disa viteve ose shtete e tjera të Ballkanit Perëndimor, e bëj me kënaqësi të madhe. Vij nga rajoni dhe e di sa e rëndësishme, sidomos për gjeneratën e re, është që të kesh vizion, të kesh mundësinë e udhëtimit, të kesh miq, të kesh mundësi punësimi, dhe të besosh që ka diçka më mirë nëse e mban këtë Evropë të bashkuar. Dua që për këta të rinj në rajon, që po e humbasin këtë besim, ose që ka rritje të nacionalizimit, të punoj për t’i bërë ata që ta kuptojnë se vetëm kur ne në rajon jemi miq, dhe t’i eliminojmë ndarjet që kemi nga e kaluara, atëherë do të jemi partnerë më të fortë në bashkësinë ndërkombëtare.

KTV: Faleminderit shumë që folët për KTV.

Fajon: Faleminderit që më ftuat.

KTV: Faleminderit.