Arbëri

Demhasaj: S’duhet t’u jepen tenderë në KEK kompanive që penalizohen, kërkohet auditim

Drejtori i OJQ “Çohu”, Arton Demhasaj në Express Intervistën në KTV ka folur rreth tenderëve në KEK.

Ai ka thënë se është shumë e domosdoshme që të bëhet auditimi i KEK-ut për shkak të parregullsive të mëdha që bëhen me tenderët.

“KEK-u është kompania që më së shumti e shpenzon paranë publike. Deri më tani nuk ka ndodhur auditimi nga Zyra e Auditorit, përkundër që ka pasur kompani private që kanë bërë auditimin. Është një raport i përgjithshëm, dhe është shumë e rëndësishme që kjo kompani shumë e madhe të ketë auditim. Sipas intervistave që kemi marrë del se edhe në vitet e ardhshme nuk do të ketë auditim për KEK-un”, ka thënë Demhasaj.

Ai ka theksuar se ia vlen të auditohet KEK-u, sidomos kur kihet parasysh se janë zbatuar fonde në vlerë prej 1.3 miliard euro.

“Mund të fillojë edhe si pilotprojekt. Ka shumë kompani që penalizohen nga KEK-u por ato vazhdojnë të bashkëpunojnë. Nëse analizojmë të gjitha këto atëherë kjo kompani patjetër që duhet të auditohet. KEK-u as vendimet e OSHP-së nuk i ka zbatuar, e që ligjërisht ka qenë e detyrueshme ta bëjë. Nuk është në rregull kompanitë që penalizohen të marrin tenderë. E nëse kjo ndodh atëherë nuk duhet që atyre kompanive të iu jep tenderë”, është shprehur ai.

Ai thotë se partitë politike kanë ndikim në dhënien e tenderëve, dhe mungon vullneti për të shtyrë çështjen e ndryshimit të ligjit përpara.

“Problemi kryesor nuk është vetëm te procedurat e tenderimit, por edhe ato që punët janë jo cilësore, dhe këto identifikojnë se problemi kryesor del të jetë mos zbatimit i duhur i kontratave tenderuese. Nuk ka numër i madh i kompanive që marrin tender në KEK, janë rreth 10-15 kompani. Janë këto kompani arrijnë me marr tenderë, e ka edhe prej atyre ndërkombëtare, jo vetëm vendore. Derisa KEK-u nuk auditohet atëherë të gjitha problemet ndodhin pa u vërejt fare”, ka thënë Demhasaj.

Ai shton se, “në sektorët e tjerë institucional kemi arrit të identifikojmë se kompanitë janë financuese të partive politike, e këtë s’kemi arritur ta vërtetojmë në KEK. Por, vetëm nëse kjo ka ndodhur në mënyrë të jashtëligjshme, por ne s’kemi arritur ta identifikojmë këtë. Edhe ky vit nuk do të ketë auditim për KEK-un, të presim nëse kjo do të ndodhë më 2019”.