Arbëri

Kuvendi shpërfill kërkesën e Thaçit për ushtrinë, ai tash ka dy mundësi

37 amendamente i ka shtuar Ministria e FSK-së në projektligjin që i jep mandat ushtarak Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Hashim Thaçi më nuk do të jetë komandant suprem i saj, por i përgjithshëm, parasheh amendamenti i 10-të, i cili do t’i shtohet projektligjit.

Amendamenti i 7-të i jep të drejtë Forcës që të ndërhyjë pa paralajmërim kur është e nevojshme, madje duke përdorur edhe masën e duhur të forcës për të përmbyllur objektivat e dhëna të misionit.

Është paraparë që me këto amendamente të rregullohet edhe hierarkia e FSK-së, ku komandanti do zgjidhet me një mandat 4-vjeçar, me mundësi të rizgjedhjes edhe në një mandat të dytë. Po ashtu, përcaktohet që pas dy mandatesh, komandanti të lirohet nga shërbimi ushtarak.

Me amendamentin e 20-të, Ministria ka riformuluar edhe betimin e ushtarakëve, i cili thotë: “Si pjesëtar i FSK-së, betohem se do t’i shërbej me besnikëri Republikës së Kosovës, do të jem ushtar besnik i popullit tim, luftëtar i denjë, trim e i disiplinuar, do të jem i gatshëm në çdo kohë e vend dhe nuk do të kursej as jetën time për mbrojtjen e interesave të vendit tonë. Betohem”.

Pas dhënies së betimit, ushtarakët e FSK-së nuk do të mund të tërhiqen. Neni 53-të i ligjit do të riformulohet siç parashihet në amendamentin 33, i cili thotë se Policia ushtarake është autoriteti i vetëm për arrestimin e pjesëtarit të FSK-së brenda hapësirave dhe zonave të FSK-së dhe më pas ai shoqërohet tek institucionet kompetente.

Këto amendamente, së bashku me mendimet e Ministrisë së Forcës, Ministrisë së Financave dhe të Integrimeve, janë proceduar tutje për te komisioni funksional për FSK-në.

Procedimin e projektligjit për FSK-në, e ka konfirmuar për KTV-në edhe nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti. Komisioni parlamentar për FSK-në ka 2 javë kohë që këtë projektligj ta procedojë në kryesi, e cila më pas do ta procedojë tutje për shqyrtimin e parë.