Arbëri

Me transformimin e FSK-së Kosova synon të ofrojë vetëm siguri, thotë Berisha

Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës është mbajtur Konferenca e 9-të “FSK dhe Partnerët’’. Aty është thënë se me transformimin e FSK-së synohet që Kosova të bëhet ofruese e sigurisë.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, ka folur edhe për largimin e disa pjesëtarëve të komuniteteve nga FSK-ja.

"FSK edhe më tutje vazhdon të vlerësohet si institucioni më i besuar në vend. Një rëndësi të veçantë i kemi kushtuar integrimit të komuniteteve pakicë. Kjo arritje e fundit është sfiduar së fundi nga presioni që kanë pasur pjesëtarët e FSK nga komunitetit që të largohen nga FSK-ja. Jemi të përkushtuar që në një formë t’i marrim të gjitha masave për zbutjen e këtyre presioneve", tha ai, përcjell KP.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, është shprehur se transformimi është në përputhje me kushtetutën.

"Bashkëpunimi bilateral është jetik për FSK. Ne jemi në procesin e tranzicionit dhe ju siguroj që nuk është ad-hoc. Çdo gjë është në harmoni me kushtetutën. Ju sigurojmë që FSK është një organizatë profesionale. Jemi duke punuar për një të ardhme me të mirë për qytetarët tanë. FSK sot qëndron e gatshme për të marrë pjesë në misione për paqe. Ne do të jemi një storie suksesi për Kosovës. Ne kemi filluar me ju dhe do të vazhdojmë me ju", ka thënë ai.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se FAK nuk do të zëvendësojë KFOR-in por do të jetë partner i saj.

"Është mirë që jam dëshmitar i rritjes së FSK dhe partneriteti që keni krijuar është i jashtëzakonshëm. Është me rëndësi që të përmendim tranzicionin e FSK-së dhe kjo vetëm do ta thellojë partneritetin tonë tranzicioni i FAK-ut është legjitim. Ky tranzicion synon që të kontribuoj në sigurinë rajonale dhe globale. Nuk ka dyshim që tranzicioni do të siguroj shumë etni. Është e papranueshme që të kërcënohen njerëzit e pafajshëm të vendit tonë", tha ai.

Kurse kryeparlamentari Kadri Veseli ka treguar punën që ka bërë në këtë temë institucioni me të cilin ai udhëheq.

"Ne në kuvend tani më kemi proceduar tre ligjet e nevojshme, do të lëvizim bashkërisht në partneritet. Ne do të jemi me ju, FSK do të jetë krahë i fuqishëm për juve. FSK për ne është krenaria e Kosovës. Kjo do të jetë edhe në të ardhmen, paqja dhe partneriteti", tha Veseli.