Arbëri

Djegia e flamurit kombëtar në Greqi, reagon MEPJ shqiptare

Descriptive Text

Pas incidenteve dhe tubimeve raciste kundër shqiptarëve në Greqi, ku nuk mungoi djegia e bizneseve shqiptare dhe e flamurit kombëtar, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka thirrur sot për sqarime ambasadoren greke në Tiranë.

MEPJ bën me dije se ambasadores Eleni Surani iu kërkua distancimi dhe dënimi nga ana e autoriteteve greke ndaj këtyre akteve të rënda që cenojnë klimën e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve. Gjithashtu Tirana zyrtare kërkon nga Athina të marrë masat për të garantuar jetën dhe pronën e shtetasve shqiptarë në Greqi, shkruan BW.

Kujtojmë se kjo është hera e dytë që MEPJ thërret ambasadoren greke në Tiranë, pas vrasjes së ekstremistit grek nga RENEA Kostandinos Kacifas. Ditën e djeshme ambasadores Eleni Surani iu komunikua pozicioni i qartë i autoriteteve shqiptare lidhur me çështjen.

Njoftimi i plotë i MEPJ:

Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Surani u thirr sot në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në lidhje me ngjarjet e ndodhura në Greqi, duke nisur nga alarmi për bombë pranë Ambasadës tonë në Athinë, djegia e bizneseve shqiptarë, protesta para ambasadës dhe konsullatës tonë si dhe djegia e flamurit kombëtar.

Ambasadores iu kërkua distancimi dhe në të njëjtën kohë, dënimi nga ana e autoriteteve greke ndaj këtyre akteve të rënda që cenojnë klimën e marrëdhënieve miqësore mes fqinjëve.

MEPJ nënvizoi gjithashtu nevojën që autoritetet greke të marrin masat e duhura për të garantuar jetën dhe pronën e shtetasve shqiptarë me banim në Greqi.