Arbëri

Institucionet e Kosovës premtojnë përmbushje të obligimeve ndaj Dhomave të Specializuara

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, gjatë një takimi me prokurorin e specializuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, shprehu gatishmërinë e institucioneve vendore për të përmbushjen e obligimeve ndaj Dhomave të Specializuara, të cilat janë themeluar me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

Tahiri me këtë rast kërkoi nga Smith që qytetarët që potencialisht mund të jenë subjekt i paraqitjes pranë këtyre Dhomave, të trajtohen në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut, dhe të bazuara në standardet më të avancuara juridike ndërkombëtare.

Pas takimit të veçantë mes Tahirit dhe Smithit, është mbajtur edhe një takim i përbashkët me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, si dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Kryeprokurori i Speciales, Jack Smith, po e viziton Kosovën për herë të parë për takime me zyrtarë ndërkombëtarë dhe kosovarë.

Smith u përzgjodh për postin e Prokurorit të Specializuar pas një procesi të organizuar nga Bashkimi Evropian dhe u emërua në këtë post nga shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou. Ai e filloi detyrën më 11 shtator. Smith është pasardhës i Prokurorit të parë të Specializuar, David Schwendiman, që e lëshoi detyrën e kryeprokurorit në fund të marsit, pas përfundimit të mandatit të tij si zyrtar i Shërbimit të Jashtëm të Shteteve të Bashkuara.

Zyra e Prokurorit të Specializuar po heton krimet e pretenduara në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011 “Trajtimi ҫnjerёzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”.

Edhe pse është ligjërisht funksionale për më shumë se një vit, asnjë aktakuzë nga kjo prokurori nuk është dorëzuar në Gjykatën Speciale.