Arbëri

MPJ reagon për sulmin ndaj autobusit me pasagjerë nga Kosova në Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar pas sulmit të një autobusi me pasagjerë nga Kosova, në Krushevc të Serbisë.

MPJ ka thënë se është e shqetësuar për përsëritjen dhe shpeshtimin e rasteve të tilla.

Autobusi me pasagjerë nga Kosova sulmohet në Serbi

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës vlerëson se veprimet e tilla, të cilat krijojnë maltretime të udhëtarëve, qofshin ato në Serbi apo Kosovë duhet të dënohen rreptësisht. Pengimi i automjeteve dhe gjuajtja e tyre me gjëra të ngurta rrezikojnë jetën e udhëtarëve. Presim, që organet e rendit, në këtë rast, në Serbi do të marrin masa sipas Ligjit kundër autorëve të këtij delikti. Shtetasit e Republikës së Kosovës si ata të Serbisë duhet të lëvizin lirshëm, pa frikë, kudo qofshin ata. Lëvizja e lirë e pa pengesë është parim themelor i BE-së dhe përkushtim i deklaruar institucional nga përfaqësuesit e shtetit fqinj për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane”, thuhet në reagim të MPJ-së.

Kjo ministri ka thirrur autoritetet e Serbisë që të zbardhë sa më shpejtë rastin dhe motivet. MPJ ka bërë thirrje edhe përfaqësuesve të BE-së që t’i kërkojë Serbisë respektimin e lirisë së lëvizjes.

“Ministria e Punëve të Jashtme thërret autoritetet e shtetit fqinj që të zbardhin sa më shpejt rrethanat dhe motivet e sulmeve të vazhdueshme dhe të sjellë para drejtësisë kryerësit e këtyre veprave. Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje edhe përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetëse në dialogun në mes dy shteteve që t’i kërkojë shtetit fqinj respektimin e parimit themelor mbi të cilin është themeluar edhe vet BE-ja, atë të Lirisë së Lëvizjes”.