Arbëri

Sipas Mustafës, nga AKP-ja po largohen të pakorruptuarit që dikush të pasurohet me pronat e Kosovës

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nga Agjencia Kosovare e Privatizimit po detyrohen të largohen ata që ishin të pakorruptueshëm në mënyrë që të hapen rrugët që dikush të pasurohet nga pronat që i takojnë Kosovës.

Në një postim në Facebook, Mustafa i ka dalë në mbrojtje Petrit Gashit, që dje dha dorëheqje nga posti i Kryetarit të Bordit të Drejtorëve të AKP-së, duke thënë se për tre vjet kjo Agjenci është kursyer nga aferat dhe skandalet.

Gashi konfirmon dorëheqjen nga kreu i Bordit të AKP-së

“Dje mësova nga mediat se Petrit Gashi dha dorëheqje nga posti i Kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjensionit Kosovar të Privatizimit. Ndërkaq, para disa ditësh anëtarët e këtij bordi, me përjashtim të Petritit, kishin vendosur ta shkarkojnë drejtorin menaxhues të Agjensionit. Janë mbushur mbi tre vite që Kosova është kursyer nga aferat dhe skandalet në AKP, nga vjedhjet dhe manipulimet. Prandaj ata që nuk vodhën dhe nuk manipuluan as për vete as për të tjerët u detyruan të largohen. Profesor Petrit Gashi, një prej ekonomistëve më të thellë dhe më të spikatur jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë, i doktoruar në Britani të Madhe, i specializuar në shumë programe në SHBA, largohet, sepse nuk bashkëpunon me krimin”, ka shkruar ai. “Është e dhimbshme dhe zhgënjyese që pas një pune sistematike, të suksesshme dhe vënie të rregullit në AKP, drejtuesit e këtij agjensioni të detyrohen të shkarkohen dhe të japin dorëheqje, për të hapur rrugë që dikush të pasurohet nga pronat që i takojnë Kosovës”.

Sipas Mustafës, largimi i tyre është argument se pushtetit aktual duhet të shkojë sa më shpejtë.