Arbëri

Ministri Xhafaj jep dorëheqje, në vend të tij emërohet Gjenerali Sandër Lleshi

Fatmir Xhafaj ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij si ministër i Brendshëm.

Lajmin e bën të ditur kryeministri Rama përmes një postimi në “Twitter”. Në vend të tij është emëruar Gjeneral Sandër Lleshi.

“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falënderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse”, shkruan Rama në Twitter, raporton Tch.

Ende nuk është publikuar një motiv zyrtar për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Xhafaj, por kujtojmë se ai ka qenë i akuzuar nga opozita muajt e fundit për mbështetje të të vëllait në trafikun e lëndëve narkotike. Situatë kjo e lidhur ngushtë edhe me audio-përgjimin “Babale”, ku Albert Velia, pretendon se flet me të vëllanë e ministrit, akuza të hedhura poshtë si nga Xhafaj, por edhe nga kryeministri Rama.

Në vend të tij është emëruar Gjenerali Sandër Lleshi.

Gjenerali Sandër Lleshi është emri që do të zëvendësojë Fatmir Xhafaj në postin e ministrit të Brendshëm. Aktualisht ministri i ri i Brendshëm mbante postin e këshilltarit të kryeministrit Rama për çështjet e sigurisë.

Pas vitit 2010 ai ka qenë në rolin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Në 2013-ën ai u shkarkua bashkë me dy Gjeneralë të tjerë nga ish-Presidenti Nishani.

Në periudhën 1996- 2000, gjeneral Lleshi ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”.

Në vitet 2003-2006 ka shërbyer si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Sa i takon arsimit të tij në fushën ushtarake, ai fillon në periudhën 1978-1985 kur ka kryer shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake.

Nga viti 1994 deri në 1999 ka kryer një sërë kursesh, si ai i gjuhës gjermane në Akademinë e Mbrojtjes Kombëtare në Vjenë (Austri); kurs i avancuar i gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve (Bundessprachenamt) në Gjermani; kurs i komandantit të Batalionit në Shkollën e Artilerisë Kundërajrore në Rendsburg, Gjermani; kurs i Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani dhe kurs i Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani.

Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani; Ndërsa në 2011-ën përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA.