Arbëri

Beogradi u kërkon vendeve kontribuuese të KFOR-it të hapin arkivat për “krimet e shqiptarëve”

Anëtarët e Grupit punues për mbledhjen e fakteve për ndriçimin e "krimeve të shqiptarëve" në Kosovë, Velko Odalloviq dhe Millovan Drecun ftuan sot në një takim përfaqësuesit e ambasadave të shteteve që kanë pasur kontingjentet e tyre në KFOR dhe të organizatave ndërkombëtare që të hapin arkivat e tyre në mënyrë që të ndriçohet fati i serbëve dhe shqiptarëve dhe të tjerëve të zhdukur në hapësirat e Kosovës.

Siç raportojnë mediat e Beogradit, në mbledhje merrnin pjesë përfaqësuesit e ambasadave të SHBA, Gjermanisë, Misionit të OSBE-së, të Kryqit të Kuq, të Zyrës së OKB në Beograd, ndërsa nuk i janë përgjigjur ftesës ambasadat e Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë, të Këshillit të Europës, të BE dhe të Zyrës së NATO-s në Beograd, transmeton Koha.net.

Është koha kur presim të hapen arkivat e atyre kontingjenteve të KFOR-it që kanë pasur mandat të plotë në Kosovë, citojnë mediat kryetarin e Komisionit për personat e zhdukur, Velko Odalloviqin.

“Sot prezantuam dokumentet që flasin për faktin se ekzistojnë arkivat e KFOR-it, OSBE-së, UNMIK-ut, EULEX-it, Tribunalit të Hagës, që japin përgjigje në shumë pyetje”, ka thënë Odalloviq, i cili ka bërë thirrje që, siç është shprehur “Prishtina dhe organizatat ndërkombëtare t’i hapin dyert”.

Sipas tij, ekipet e Tribunalit të Hagës më 1999 dhe 2000 kanë zhvarrosur mbi 4000 trupa, nga të cilët janë identifikuar 2000, ndërsa të tjerët janë varrosur në lokacione të panjohura.

“Për ato krime dikush do të përgjigjet, e kemi lidhur përgjegjësinë komanduese të strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me krimet” – ka thënë Odalloviq, transmeton Koha.net.

Ai ka theksuar se kanë dorëzuar dokumentacionit për Shtëpinë e Verdhë.

Kryetari i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën, Millovan Drecun, tha se për Zonën e Drenicës, që ishte në fokus të raportuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty, janë mbledhur 650 ngjarje me rreth 450 dokumente, ndërsa të zhdukur figurojnë 51 persona.

Sipas tij për Zonën e Dukagjinit janë mbledhur 2.123 dokumente.

ka thënë se Prokurorisë Speciale i janë dorëzuar dokumente thelbësore për përcaktimin e përgjegjësisë komanduese të UÇK-së, transmeton Koha.net.