Arbëri

Pastrohet kampusi i Universitetit të Prishtinës

Qindra vullnetarë, studentë, profesorë e pjesë të stafit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë bashkuar sot një aksion pastrimi në hapësirat e kampusit universitar, nga ku janë larguar dhjetëra thasë me mbeturina, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Besnik Shabiu nga “Ta Pastrojmë Kosovën” ka thënë se që nga fillimi i fushatës është rritur interesimi i qytetarëve për ruajtjen e mjedisit dhe pjesëmarrjen në aktivitete vetëdijesuese për rëndësinë e mjedisit të pastër.

“Jemi të kënaqur që aksioni ‘Ta pastrojmë Kosovën’ është në rrugë shumë të mbarë. Në të gjitha komunat e Kosovës është duke u parë një interesim dhe mobilizim si asnjëherë më parë, që tregon se ne po bashkohemi çdo ditë e më tepër ta bëjmë Kosovën të pastër. Është mirë që ka filluar të mendohet dhe të flitet më tepër për anën legjislative, po flitet për udhëzimin administrativ për gjoba mandatore, i cili ka qenë në fuqi që nga viti 2009, por tani në kuadër të kësaj fushate është bërë edhe ridraftimi i këtij udhëzimi, që e ka bërë shumë më të lehtë zbatimin në praktikë dhe e mira është që nga 15 shtatori nuk është folur asnjë herë më shumë, për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit”, ka thënë Shabiu.

Ndërsa, Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marian Dema ka falënderuar studentët që iu bashkuan aksionit të sotëm në hapësirat e kampusit universitar.

“Përmbajtja e pastërtisë çdo ditë është më mirë. Herën e fundit kur kemi pastruar ka pas shumë më shumë mbeturina dhe sot kishte më pak, andaj shpresoj se nesër studentët prapë do të organizohen dhe mbeturina do të ketë më pak. Studentët e UP-së janë një rini e shkëlqyer, që po tregon çdo ditë vlera, si në vullnetarizëm, studime, inovacion, kreativitet e tjera”, ka thënë Dema.

Ndërsa, Albena Reshitaj nga Zyra e kryeministrit ka thënë se aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” po shpërfaq një shembull të mirë të ruajtjes së mjedisit, andaj duhet të jemi të bashkuar të gjithë përballë kësaj sfide.

Për organizimin e aksionit të sotëm ndihmoi edhe organizata “Paqja Studentore”, të cilët u zotuan se do të vazhdojnë me aktivitete të tilla për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa morën pjesë edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” po vazhdon çdo ditë me largimin e qindra deponive ilegale të mbeturinave nga tërë territori i Kosovës.