Arbëri

Kurti: Për drejtorin e AKI-së e Policisë Haradinaj bëri pazar me Thaçin, nuk dihet se çfarë fitoi në këmbim

Kryetari i Lëvizjes Vetvendosje, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook, ka reaguar ndaj emërtimit të drejtorit të AKI-së e atij të Policisë së Kosovës.

Ai në këtë postim ka akuzuar kryeministrin Haradinaj se ka bërë pazar me Presidentin Hashim Thaçi për emërtimin e tyre, e që ende nuk dihet se çfarë ka fituar në këmbim të kësaj, transmeton koha.net.

Kurti ka thënë se Kosovës i nevojitet vetingu jo vetëm gjyqësorit e prokurorisë por edhe policisë e inteligjencës.

Më poshtë është postimi i plotë i Kurtit në llogarinë private në tij në rrjetin social, Facebook:

“Emërimi i drejtorit të AKI-së dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, janë direktiva të Presidentit të pranuara nga Kryeministri, i cili nuk dimë se çfarë mori si shpagim në pazar. Kur Kryeministri thotë t'ia lëmë këtë çështjen ‘Maxhuni' organeve të rendit a sistemit të drejtësisë, ai po thotë "na e leni këtë punë neve", thua se bëhet fjalë për çështje private dhe jo publike. Kapësit e shtetit e kanë ndarë popullsinë në familjarët e tyre të paprekshëm dhe qytetarët e tjerë të pambrojtur. Paanshmëria, objektiviteti dhe profesionalizmi i organeve shtetërore matet pikërisht në raste të këtilla siç ishte ai ‘Maxhuni’ i 12 tetorit (i publikuar vetëm një javë më pas), e jo në rastet e hajnave të pulave. Shpërputhjet midis deklaratave të policisë dhe prokurorisë në rastin ‘Maxhuni’ janë dëshmi e ndërhyrjeve nga lart.

Kosova nuk ka nevojë vetëm për reformë të drejtësisë, por edhe për reformë të sigurisë. Pra, Kosovës i nevojitet jo vetëm reforma e vetingu i gjyqësorit dhe prokurorisë, por edhe ai i policisë dhe inteligjencës. Reformat në organet e rendit e të sigurisë nuk bëhen me rokada dostash që kryejnë favore private nga pozitat publike. Në polici ka njerëz të mirë e me integritet, profesionistë e patriotë, por ata mbi kokë i kanë të këqinjtë, kapësit e shtetit, pushtetin që i shërben vetvetes, familjarëve të tyre e miqve biznesmenë. E, me të tillët nuk ka as drejtësi e as siguri.”