Arbëri

MTI-ja dyshohet se ndryshoi kriteret e konkursit për t’ia përshtatur kunatës së këshilltares së Fatmir Limajt

Kunata e ish-deputetes Valdete Bajrami do të kujdeset për monitorimin dhe kontrollin e cilësisë së naftës. Ajo është punësuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë përmes një konkursi, kriteret e të cilit ishin vendosur në përputhje me shkollimin e saj.

Shkëndije Bajrami – Azizi, kunata e Valdete Bajramit, është pranuar në punë përmes konkursit të dytë për inspektore e tregut për cilësinë e naftës.

Ajo është punësuar vetëm pasi MTI-ja ka arritur të ndryshojë kriteret e konkursit, duke i përshtatur me përgatitjen profesionale të Bajrami-Azizit.

Konkursi i parë ishe anuluar me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, pasi ky Këshill kishte konstatuar se MTI-ja në mënyrë të kundërligjshme e kishte futur Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (FShMN) si diplomë e përshtatshme për punësim.

Edhe pse procesi u kthye në pikën zero, herën e dytë, këtë kriter MTI e kërkoi që të shtohet nga MAP dhe kësaj radhe me aprovimin e tyre, futi FShMN-në në konkurs.

Rrjedhimisht kunata e Valdete Bajramit nuk e kishte Fakultetin e Kimisë, por atë të Fizikës, e që i bie se e plotësonte kriterin e FShMN-së.

FShMN ka 5 departamente. Përveç Kimisë, që ishte kriter i përcaktuar, janë edhe: Matematika, Biologjia, Gjeografia dhe Fizika. Këtë të fundit e ka të kryer kunata e Valdete Barjamit.

Inspektori i tregut për naftë, ndër detyrat e përcaktuara në konkurs, shkruan se bën monitorimin dhe kontrollimin e cilësisë se naftës në tregun e Kosovës.

Historia e shkeljeve

Valdete Bajrami aktualisht është këshilltare e zv.kryeministit dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

E Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ku është punësuar Bajrami-Azizi udhëhiqet nga Endrit Shala nga e njëjta parti, Nisma Socialdemokrate.

Madje në këtë Ministri, sekretar i përgjithshëm është Burim Rrecaj, i cili ishte pjesë e listës zgjedhore të partisë Nisma për anëtar të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Më 13 prill 2018, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë hapi konkurs për pozitën “Inspektor Tregu” në Divizionin për Cilësi dhe Tregtinë e Naftës dhe Derivateve të Naftës.

Në konkursin e publikuar ishte vendosur si kriter që edhe kandidatet që e kanë përfunduar FShMN-në mund të zgjidhen në këtë pozitë.

Ky kriter ishte vendosur pa miratimin e Ministrisë se Administratës Publike.

Më 16 maj 2018, Shkëndije Bajrami – Azizi shpallet si kandidatja më e suksesshme për këtë pozitë me 85.45 pikë.

Më 3 shtator 2018, ky konkurs ishte anuluar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, me arsyetimin se kandidati i përzgjedhur në këtë pozitë kishte kryer Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, kriter i cili nuk ishte aprovuar nga DASHC/MAP dhe të njëjtin kriter MTI e kishte futur jashtëligjshëm në konkurs.

“Kolegji për shqyrtimin e ankesave, duke u bazuar në mandatin e tij kushtetues dhe ligjor dhe duke u bazuar në të gjitha provat e lëndës, ka konstatuar se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka parashtruar kërkesë për shpalljen e konkursit për pozitën “Inspektor i Tregut” në Divizionin për Cilësi dhe Tregtinë e Naftës në Departamentin e Administrimit të Shërbimit Civil/Ministrinë e Administratës Publike, e cila më datë 11.04.2018 ka lëshuar autorizimin për shpalljen e konkursit duke aprovuar kriteret e konkursit si: “Diplomë universitare: Kimi, Juridik, Ekonomik dhe minimum 3 vite përvojë pune profesionale”, thuhet në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

Ky Këshill kishte gjetur se MTI-ja në mënyrë të kundërligjshëm i kishte ndërruar kriteret e këtij konkursi.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë më datë 13.04.2018 ka shpallur konkursin për pozitën “Inspektor i Tregut”, me kriteret e konkursit si: “Diplomë universitare: FSHMN, Juridik, Ekonomik dhe minimum tre vite përvojë pune profesionale”, duke hequr drejtimin e kimisë dhe duke e shtuar kriterin e Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore. Mbi këtë bazë MTI ka ndryshuar kriteret e konkursit në krahasim me ato të aprovuar nga Departamenti i Administrimit të Shërbimit Civil/ Ministria e Administratës Publike, rrjedhimisht ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 16 paragrafit 1 nën paragrafit 1.8 të Rregullores nr. 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil”, thuhet në vendimin e KPMSHC-së.

Pikërisht kriteri i shtuar në mënyrë të kundërligjshme i kishte ndihmuar Shkëndije Bajramit që të punësohet në këtë pozitë.

Në vendim e Këshillit thuhet se “Kandidatja e përzgjedhur në këtë procedurë të rekrutimit, Shkëndije Bajrami, në bazë të provave të lëndës ka të kryer FSHMN, drega Fizikë, i cili kriter nuk ishte i aprovuar nga DASHC/MAP”. Me vendim të Këshillit, konkursi ishte kthyer në pikën zero.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte vendosur që të rishpallte pozitën. Por, në rishpallje MTI-ja kishte kërkuar nga MAP të ndryshojë kriteret, përkatësisht të futet si kriter edhe kualifikimi nga FShMN, kriter të cilën e kishte futur në mënyrë të kundërligjshme herën e parë.

Në konkursin për pozitën e njëjte, të rishpallur më 18.09.2018 nga MTI, me aprovimin e MAP-it, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, është shtuar si kriter në konkurs.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka pyetur Ministrinë e Administratës Publike se pse është shtuar ky kriter herën e dytë, ndërsa ata kanë thënë se kjo ka qenë kërkesë e MTI-së.

“Aprovimi i kërkesës tjetër i dt. 18.09.2018 është bazuar në vet vlerësimin që ka vendos MTI në caktimin e kritereve shtesë . DASHC nuk ka informata në lidhje me procedurat e deritanishme brenda MTI-së dhe ankesat e mundshme, qoftë të komisioneve të brendshme ose të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, andaj në lidhje me marrjen e informatave shtesë dhe ndryshimin e kritereve të kualifikimit, luteni t’i drejtoheni MTI-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Më 17 tetor 2018, Shkëndije Bajrami, kandidatja me Fakultetin e Fizikës, kriter i shtuar nga MTI, është rishpallur përsëri kandidate e suksesshme në pozitën inspektore tregu për cilësinë e naftës. Kësaj radhe ajo kishte marrë me 82.15 pikë.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kërkuar nga MTI-ja që t’i lejohet monitorimi i këtij procesi të rekrutimit.

MTI-ja, përmes zyrtarit Bajram Shalës kishte miratuar kërkesën e Gazetës për monitorimin e këtij procesi të rekrutimit. Mirëpo, më vonë asnjë nga zyrtarët e MTI-së, nuk ishte përgjigjur, përkundër që pesë herë është kërkuar nga MTI-ja të na njoftojë me kohën kur do të mbahet takimi i komisionit për caktimin e personave për intervistim, apo ditën kur do të mbahen intervistat.

‘Jam me fat që e kam një asi kunate’

Gazeta ka kërkuar të jetë e pranishme, duke ua rikujtuar datat edhe ministrit, Endrit Shala, sekretarit të MTI-së, Burim Rreci dhe Zyrës për Informim në këtë Ministri, por asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.

E kontaktuar nga Gazeta JNK, Shkëndije Bajrami – Azizi ka thënë se është krenare që ka një kunatë si Valdete Bajrami, por se ajo nuk i ka ndihmuar të hyjë në punë.

“Unë jam një banore e thjeshtë që kam aplikuar. Merruni me personat për rekrutim. Jam shumë me fat që e kam një asi kunate. Përderisa kam një shkollë, ajo nuk ka ndikuar. Unë e kam titullin Inxhinier i Fizikës”, ka thënë ajo për Gazetën JnK.

Bajrami – Azizi ka thënë se edhe herën e parë ka qenë kriter FShMN dhe se ajo ka 10 vjet përvojë pune.

“Kam punu në ministri e gjithkah tjetër para 10 vjetësh. I kam 10 vjet përvojë pune… ProCredit, Ministri të Energjisë dhe Minierave…”, ka shtuar ajo.

Kur është pyetur se a ka punuar me kontratë mbi vepër nga muaji mars në MTI para se të rekrutohej si inspektore, është përgjigjur shkurt “po, po”.

Ndërsa, Valdete Bajrami, e cila sot është këshilltare në kabinetin e Famir Limajt, thotë se nuk e ka idenë se çka ndodh në Ministrinë që udhëhiqet nga bashkëpartiaku, Endrit Shala.

“Po, Shkëndije Azizi është kunata ime. Mundeni me hulumtu kudo që doni, që Valdetja ose NISMA nuk ka intervenu. As idenë çka o t’u ndodhë në MTI, as qysh ndodhë rekrutimi, as nuk kam njohuri, s’jam e njoftume as në rrjedha”, ka thënë ish-deputetja e NISMA-s për Gazetën JnK.

Valdete Bajrami ishte shefe e grupit parlamentar të NISMA-s në mandatin e kaluar si deputete, ndërsa tash është këshilltare në kabinetin e kreut të NISMA-s, Fatmir Limaj.

Ndërsa kunata e saj, Shkëndije Bajrami – Azizi tash e tutje do të jetë inspektore e naftës në MTI, Ministri kjo që udhëhiqet nga Nisma Socialdemokrate, përkatësisht nga Endrit Shala.

Ministria e udhëhequr nga Nisma Socialdemokrate e ka punësuar me kontratë mbi vepër edhe dhëndrin e Fatmir Limajt.