Arbëri

Shpejt pritet të nis krijimi i Policisë së Gjelbër

Që nga 15 shtatori, fushata “Ta pastrojmë Kosovën” ka aktivizuar vullnetarë, organizata e institucione në aksione të shumta për pastrimin e mjedisit.

Vullnetarët e organizatës “Let’s do it Kosova” kanë kontribuuar në këtë fushatë me aksione në të gjitha komunat e Kosovës, raporton KTV.

Drejtori i kësaj organizate ka bërë apel për gjobitjen e personave që hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara për këtë.

Valon Maliqi, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka thënë se me nënshkrimin e Udhëzimit Administrativ, i cili parasheh gjobitjen e personave që hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara, pritet reduktim i ndotjes së mjedisit.

Maliqi ka treguar për KTV-në se së shpejti do të nisin punën për krijimin e Policisë së Gjelbër ose të Mjedisit. Sipas tij, kjo do të bëhet në koordinim me MPB-në dhe do të jetë në kuadër të Policisë.

Në fushatën e pastrimit, po bashkëpunon edhe kompania “Pastrimi”. Si kontributin më të madh të këtij viti në mbrojtjen e mjedisit, kjo kompani ka cilësuar marrëveshjen me Komunën e Prishtinës për largimin e mbeturinave inerte.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ndarë një fond prej 1 milion e 200 mijë eurosh për komunat që do të tregohen më të suksesshme gjatë fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, ndërsa aksionet e pastrimit pritet të vazhdojnë deri më 15 dhjetor.