Arbëri

Mali i Zi, vendi i 29-të kontribuues në KFOR

Descriptive Text

Nga sot, Mali i Zi është vendi i 29-të që kontribuon në misionin më të gjatë dhe më të suksesshëm të NATO-s, KFOR.

Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Salvatore Cuoci kryesoi ceremoninë mikpritëse të organizuar sot në kampin Film City, ku ishte prezent ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boshkoviq.

Një oficer i stafit nga Mali i Zi i është bashkuar personelit të 28 shteteve, të cilët aktualisht kanë trupa kontribuuese në misionin e KFOR-it në Kosovë.

“Për një vend fqinj si Mali i Zi është e rëndësishme për të kontribuar në mjedisin e qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Ballkanin Perëndimor dhe duke zgjedhur të jetë pjesë e një operacioni si KFOR-i, është një hap konkret drejt normalizimit të rajonit”, tha Cuoci.

“NATO-ja mirëpret çdo kontribut të mëtejshëm në KFOR nga çdo anëtar ose partner për të konsoliduar stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan. Prania e Malit të Zi në KFOR është përkrahje shtesë në ‘Përkushtimin e Qëndrueshëm’ të KFOR-it”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.