Arbëri

Thaçi e njofton ministrin e Brendshëm malazez për transformimin e FSK-së në ushtri

Descriptive Text

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur Ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, Predrag Boshkoviq.

Thaçi dhe Boshkoviq kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale dhe për mënyrat sesi ato mund të zgjerohen përmes një bashkëpunimi edhe më të mirë në fushën e sigurisë.

Presidenti e ka njoftuar ministrin malazez për tri projektligjet e votuara në Kuvendin e Kosovës, të cilat e transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës përmes një procesi gradual do t’i ketë kapacitetet e plota në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe si e tillë do jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe do t’i kontribuojë paqes”, ka thënë Thaçi.

I pari i vendit e ka falënderuar ministrin Boshkoviq për prezencën e ushtarëve malazezë në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë, që sipas tij “Mali i zi po i kontribuon paqes dhe stabilitetit”.

Po ashtu, në këtë takim është diskutuar edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Kreu i shtetit ka thënë se Mali i Zi është shembull i mirë për Kosovën dhe rajonin në rrugën euroatlantike.

Ministri Boshkoviq e ka siguruar presidentin Thaçi për mbështetje të gjithanshme të Malit të Zi, sidomos në procesin e integrimeve euroatlantike.

Presidenti Thaçi ka shtuar se Mali i Zi në këto dy dekada ka marrë vendime të rëndësishme për sigurimin e paqes në rajon.