Arbëri

VV thotë se qeveria Haradinaj pati më shumë skandale se punë në 14 muaj

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se qeveria Haradinaj më shumë ka pasur skandale për 14 muajt e punës së deritashme, sesa punë.

Nënkryetari i kësaj partie, Besnik Bislimi u shpreh se qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj po e degradon ekonominë e vendit.

“Qeveria ka degraduar ekonominë e shtetit, ka shkelur legjislacionin vendor dhe Marrëveshjen për Stabilizim Asociim. Qeveria e Kosovës ka marrë disa vendime për sektorin e ekonomisë, rezultati i tyre është shkatërrimi i konkurrencës, shkelje e marrëveshjes se MSA-së, dëmtim i pronës publike", tha ai.

Përmes një konference, ai ka thënë se vendimi i qeverisë për zhvendosjen e banorëve të Shipitullës është skandaloz. Ka përmendur edhe vendimin për rritje të pagave, të cilin vendim e ka quajtur selektiv.

Sipas tij, sa më shpejtë që ndalet kjo qeverisje, aq më e shkurtër do të jetë lista e skandaleve.