Arbëri

Musliu për ‘rastin Maxhuni’ thotë se s’duhet të përzihet babai me djalin

Anëtarja e Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, Ganimete Musliu, ka thënë se rasti i fundit ku në veturën e cila drejtohej nga djali i shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, u gjet armë e drogë, nuk duhet të përzihet me institucionet e vendit.

Ajo ka thënë se si komision kanë kërkuar raport zyrtar nga policia për rastin. Ka thënë se si komision nuk iu takon të kërkojnë dorëheqje morale.

Shefi i AKI-së hesht ndaj rastit të djalit të tij që iu gjetën armë e drogë në veturë

“Deri më tani nuk kemi informacione në vija zyrtare për rastin. Sot kishte zëra të ndryshëm e nga VV ishte kërkesa për shkarkimin e drejtorit të AKI, por komisioni vlerësoi se ne duhet të njoftohemi në vija zyrtare për rastin, sesa ka qenë ligjërisht i involvuar shefi i AKI për rastin. Fillimisht do të kërkojmë që policia e Kosovës në detaje të na raportojë për këtë ngjarje. Ne duhet të mësohemi të respektojmë institucionet tona. Të kërkojmë raport nga policia, pastaj do ta shqyrtojmë raportin , do të kërkojmë sqarim pse është ndryshua raporti, pse ka pasur dilema se është ndryshuar, por ne nuk mund t’ia bëjmë gjyqin askujt. Nëse neve si komision na vërtetohet se drejtori i AKI-së ka bërë ndërhyrje atëherë ne si komision do të kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa. Ne këtu jemi për të zhvilluar kontroll demokratik e nuk jemi këtu për të kërkuar dorëheqje morale. Jemi të thirrur të kërkojmë rregull dhe respektim të ligjit. Kisha dashur të kemi të qartë se kemi të bëjmë me djalin e drejtorit e jo me drejtorin e AKI-së. Dhe si të tillë nuk na duhen që problemet familjare t’i fusim në institucione. Unë i ftoj organet e drejtësisë të kenë 0 tolerancë ndaj kujtdo, pavarësisht djali i kujt është”, është shprehur Musliu, raporton KTV.