Arbëri

Thaçi: Dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm nëse e njeh Kosovën shtet

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi edhe njëherë ka folur për dialogun me Serbinë dhe korrigjimin e kufirit me shtetin fqinj.

Thaçi tha se ky dialog ka kuptim vetëm nëse ka njohje për Kosovën ndërsa tha se do ta shtyjë përpara çështjen e korrigjimit të kufirit ku Lugina e Preshevës i bashkohet Kosovës.

"Pas arritjes së marrëveshjes të hiqet vetoja ruse. Për ditën dhe kohën kur do të ndodhin takime të tjera vendos Bashkimi Evropian. Nuk është fokusi vetëm tek një çështje e caktuar e marrëveshjes. Do ta shtyj përpara çështjen e korrigjimit të kufirit ku Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Do të punojmë që të kemi një marrëveshje të dyanshme", tha presidenti sot në një pritje që i ka bërë ekipit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që kanë marrë pjesë në gara ndërkombëtare "Cambrian Patrol", raporton kp.

Sa i përket rastit të djalit të shefit të AKI-së Shpend Maxhuni, presidenti tha se ka përcjellë të gjitha zhvillimet politike duke thënë se pret nga të gjitha autoritetet përkatëse të shikojnë me hollësi gjitha zhvillimet.

Ekipin e FSK-së Thaçi e ka falënderuar dhe përgëzuar për arritjen e tyre.

"Janë shembulli dhe mesazhi më i mirë që po dërgohet se FSK është e gatshme për misione shtesë. I uroj për suksesin që e kanë arritur ekipi kosovar. Është një e arritur e re që duhet të na bëjë të ndjehemi mirë dhe krenar. Nuk ka qenë një garë e lehtë por kanë arritur të renditen në vendin e tretë", tha ai.

Komandanti i FSK-së Rrahman Rama, ka thënë se pjesëtarët e kësaj force kanë marrë pjesë në një nga garat më prestigjioze në botë.

"Është një prej garave më prestigjioze në botë dhe është hera e dytë që FSK merr pjesë. Të gjitha raportet që i kam marrë nga Mbretëria e Bashkuar kanë qenë shumë të mira", tha Rama.