Arbëri

Pas interesimit të Kohës Ditore, Policia dorëzoi në Prokurori kallëzimin për armët e drogën në veturën e babait të shefit të AKI-së

Vetura e Enver Maxhunit, një ish-polici të vjetër dhe që është babai i shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, është “inspektuar” të shtunën e kaluar nga Policia e Kosovës.

Nipit të tij Sh.M., i cili është djali i Shpend Maxhunit, dyshohet se i është gjetur një armë pa leje dhe substancë narkotike. Ky rast nuk është proceduar fare nga Policia e Kosovës në Prokurori të Shtetit, derisa “Koha Ditore” ka kërkuar nga Prokuroria informata mbi këtë kontroll.

Armë e drogë në veturën e babait të shefit të AKI-së, i dyshuar djali i tij

Pas interesimit të gazetës, ditën e premte, Policia e Kosovës me kërkesën e Prokurorisë e ka dorëzuar kallëzimin penal kundër Sh.M. dhe R.M. Edhe ky i fundit është pjesëtar i familjes Maxhuni.

“Pasi keni shprehur interesim ju, Prokuroria Themelore ka kërkuar informacione nga Policia se pse nuk është dorëzuar kallëzimi penal, dhe të premten Policia e ka dorëzuar kallëzimin penal”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Kur është pyetur se nëse njëri nga të dyshuarit është djali i shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, prokuroria e ka konfirmuar atë, por nuk kanë dhënë shumë detaje.

“Të dyshuar janë Sh.M. dhe R.M. Rasti ka ndodhur më datën 13 të këtij muaji. Veprat për të cilat dyshohen janë armëmbajtje pa leje dhe posedim i substancave narkotike”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Siç ka mësuar gazeta, në veturën “Golf”, në pronësi të Enver Maxhunit, që është babai i Shpend Maxhunit, është gjetur sasi e vogël e narkotikëve në formë cigareje. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore).