Arbëri

Historianët e Deçanit sulmin në xhami e cilësojnë tendencë për prishje të harmonisë

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, përmes një reagimi për media ka dënuar ashpër sulmin ndaj objektit të xhamisë në Novobërdë që është bërë sot në orët e pasdites.

“Ky sulm në këtë ditë të festës për besimtarë kristianë ndaj objektit të xhamisë është sulm ndaj vlerave të tolerancës që ka ndërtuar shoqëria e Kosovës. Po ashtu ky sulm është sulm edhe kundër harmonisë dhe respektit të ndërsjellët ndër komunitetet e ndryshme fetare në Kosovë”, thuhet në reagimin e historianëve të Deçanit.

“I bëjmë thirrje të gjitha subjektet fetare që të kontribuojnë në ruajtjen e tolerancës ndërfetare në Kosovë sepse kjo është vlerë e rrallë e popullit tonë e posaçërisht e shqiptarëve të Kosovës. Po ashtu ky sulm nga një qytetar serb ndaj objektit të xhamisë është edhe një dëshmi për të prishur bashkëjetesën e komuniteteve fetare në Kosovë. Sulmet e tilla duhet të jetë të lokalizuara dhe të dënuara nga gjithë akterët e shoqërisë sonë”, thuhet më tej në reagim, ku po ashtu i bëhet thirrje edhe përfaqësuesve serbë, atyre fetarë e politikë që të dënojnë këtë akt, “sepse po të ndodhte ndonjë sulm ndaj objekte sakrale serbe atëherë kishte reaguar edhe KS i OKB-së”.