Arbëri

Molliqaj: Policia nuk demantoi faktet që shpërfaqin kapjen dhe zhytjen në krim

Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, ka vazhduar polemikat në distancë polemikat me Policinë e Kosovës.

Për reagimin e kësaj të fundit, Molliqaj ka thënë se “Policia e Kosovës paska reaguar ndaj fakteve që i paraqita, duke më akuzuar se deklaratat e mija i shkojnë për shtati armiqve të shtetit”. E ka quajtur këtë “reagim tipik të SHIK-ut”.

Policia i quan pretendime të pavërteta dhe tendencioze ato që sot i tha Molliqaj

“Kushdo që i kritikon, e akuzojnë për armik të shtetit”, ka thënë Molliqaj.

Në anën tjetër, sipas Molliqajt, “Policia nuk ka demantuar konkretisht asnjë nga faktet që i ka paraqitur për kapjen dhe zhytjen në krim të strukturave të saj udhëheqëse”.

Kur ka shkruar kësaj here në profilin e tij në Facebook, Molliqaj ka thënë se po i përsëritë pyetjet publike për Policinë e Kosovës:

1. A është e vërtetë që Departamenti i Operacioneve udhëhiqet nga Rashit Qalaj, i cili është shok i Elmi Reçicës, ka banesë në “BENI DONA” kompani që vazhdimisht merr tenderë nga Policia, dhe që babai i tij ka qenë pjesë e SPS-it të Millosheviqit?

2. A është e vërtetë që Drejtoria e Krimeve Ekonomike udhëhiqet nga Emin Beqiri, për të cilin Nazim Bllaca ka deklaruar që është zyrtar i SHIK-ut?

3. A është e vërtetë që njëri nga udhëheqësit e Njësitit Anti-terror është Luan Keka, i cili është shok i Zenun Pajazitit dhe bashkëshortja e të cilit ka qenë kandidate për deputete e PDK-së?

4. A është e vërtetë që Shpend Maxhuni nuk e ka kaluar verifikimin e sigurisë pikërisht ngase dhëndri i tij është i dyshuari kryesor për vjedhjen e dhomës së dëshmive?

5. A është e vërtetë që Drejtori i Administratës në Polici, Kadri Arifi, në kohën e vjedhjes së dhomës së dëshmive ka qenë personi përgjegjës për sigurinë e asaj dhome? Po i njëjti ka deklaruar vetë që ka qenë pjesë e UDB-së, dhe po ashtu ka dhënë disa herë deklarata publike në mbrojtje të SHIK-ut.

6. Nëse Policia insiston që përgjimet janë bërë në përputhje me ligjin atëherë pse nuk bëhet transparente dhe t’i publikojë kontratat me VALA-n dhe IPKO-n për përgjime?

“Në vend që të më akuzojë mua në stilin e SHIK-ut, Policia duhet t’i përgjigjet publikut rreth këtyre fakteve. Nëse nuk përgjigjet, kjo vetëm sa i konfirmon pretendimet tona për kapjen dhe kriminalizimin e këtij institucioni”, ka thënë Molliqaj.