Arbëri

Janë vënë nënshkrimet e para për rrëzimin e Qeverisë Mustafa

Megjithëse kishte disa deputetë të LDK-së që nuk e kishin votuar shefin e partisë për kryeministër, LDK-ja është e bindur se nuk do të ketë deputetë të LDK-së që do të votojnë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë të iniciuar nga partia më e vogël opozitare. Por, në PDK thonë se nëse koalicioni nuk arrin t’i kalojë çështjet me rëndësi e të zhbllokojë proceset, atëherë nuk kanë pse i frikohen votës së qytetarëve.

Janë vënë nënshkrimet e para për shkarkimin e Qeverisë së Isa Mustafës.

Megjithëse Nisma për Kosovën, si iniciatore, gjatë ditës, ka zgjedhur të mos flasë rreth mocionit, deputetët e AAK-së kanë vënë tashmë nënshkrimet e tyre, por teksti i mocionit ende nuk është harmonizuar dhe nuk është përfundimtar.

Në disa nga rreshtat e arsyetimit të këtij mocioni, të hartuar veç nga Nisma e që pritet të pësojë ndryshime, thuhet se ky koalicion megjithëse i ka mbi 2 të tretat e votave në Kuvend, nuk po arrin të ketë kuorum për shumë seanca me radhë.

Prandaj, thuhet se grupet opozitare dhe deputetët nënshkrues ndërmarrin këtë iniciativë që t’ua mundësojnë të gjithë deputetëve të shprehen përmes votës për mocionin e mosbesimit.

AAK-ja mendon se kjo qeveri tashmë i ka ditët e numëruara.

Edhe Vetëvendosje është e gatshme për të mbështetur mocionin, por nënshkrimet nuk do t’i vënë pa marrë miratim nga kryesia e Lëvizjes.

Derisa ata që nisën mocionin besojnë se do të kenë votat e atyre që e votuan kundër qeverinë, që rrjedhimisht i bie edhe të atyre deputetëve të LDK-së, Ismet Beqiri është i bindur se nuk do të ketë deputetë nga LDK-ja që do të votojnë për të rrëzuar qeverinë.

Por, Adem Grabovci i PDK-së i ka bërë thirrje koalicionit qeverisës që të ndezin motorët e të kalojnë çështjet me rëndësi, në të kundërtën nuk kanë pse i frikësohen votës së popullit.

Por, në marrëveshjen e arritur mes PDK-së dhe LDK-së më 8 dhjetor të 2014-ës, Hashim Thaçi e Isa Mustafa ishin pajtuar që të mos e votojnë asnjë mocion mosbesimi që do të iniciohet nga partitë opozitare.

Shumë deputetë të PDK-së por edhe të pavarur tashmë publikisht i kanë dhënë mbështetje iniciativës për mocion mosbesimi ndaj qeverisë.