Arbëri

Aktpadi kundër Arbitrazhit për gjobën 30 milionë euro për Telekomin

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se është ngritur padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës për anulimin e vendimit të gjykatës së Arbitrazhit, për gjobën e 30 milionë eurove për Telekomin e Kosovës në kontestin me ‘Z-Mobile’, raporton KTV.

Shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur nga foltorja e Kuvendit se rreth kësaj çështjeje nuk po ndalen me kaq.

Pos hetimeve, sindikata e kësaj ndërmarrjeje ka kërkuar nga qeveria që të kërkojë llogari edhe nga bordi i Telekomit të Kosovës.

Sipas kryesindikalistit, prokuroria e shtetit ka bazë të mjaftueshme për të nisur hetimet. Mirëpo, njohësit e proceseve gjyqësore, i kanë thënë KTV-së se të gjitha këto përpjekje janë të kota.

Sipas tyre, pavarësisht nisjes së hetimeve, dënimi prej 30 milionësh i dhënë nga gjykata e arbitrazhit nuk mund të anulohet dhe se këto veprime janë vetëm sa për të hedhur hi syve ndaj këtij vendimi të dëmshëm.