Arbëri

Shqipëria do dialog më të balancuar Kosovë-Serbi

Kur kanë mbetur veçse katër muaj nga data e zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, kontributi i mazhorancës qeverisëse për Kosovën në fushën e politikës së jashtme, sidomos bashkëpunimi në këtë fushë, por edhe në fusha të tjera, sipas shefit të diplomacisë së këtij vendi, Ditmir Bushati, ka qenë i ngushtë e shumëdimensional, si në rrafshin bilateral, ashtu edhe në atë rajonal e ndërkombëtar.

Sekretariati i Përbashkët Shqipëri-Kosovë, që tashmë ka filluar nga puna, do të shërbejë si koordinues dhe bashkërendues i ecurisë së projekteve të përbashkëta, ka shtuar Bushati.

Në një intervistë ekskluzive për “Kohën Ditore”, ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë ka folur edhe për ngjarjet jo të këndshme të këtij fillimviti, siç ishte provokimi përmes murit në Mitrovicë, treni me ngjyrat e flamurit serb dhe arrestimi në Francë i Ramush Haradinajt.

Ngjarjet në Mitrovicë, sipas ministrit Bushati, përbënin një akt që synonte tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, izolimin dhe ndarjen e veriut nga Kosova. Ndërsa me arrestimin e Haradinajt tentohet të preken sa kredencialet e Kosovës, aq edhe të luftës së saj për liri.

Për sa i përket dialogut Prishtinë-Beograd, Bushati mendon se ai duhet të vazhdojë, por njëkohësisht ka theksuar nevojën e rivlerësimit të tij në mënyrë që jetë sa më rezultativ, të sigurojë një balancë të drejtë e të ndërsjellë në planin e përfitimeve dhe angazhimeve, veçanërisht në zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara.

Ndërsa sa i përket procesit të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ministri Bushati potencon se Asociacioni duhet të respektojë subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar të Kosovës, institucionet e saj dhe dispozitat e artikuluara me këtë rast nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

Për çështjen e pazgjidhur të demarkacionit që po mban peng edhe liberalizimin e vizave për Kosovën, ministri Bushati mendon se këto çështje janë komplekse dhe mund të kërkojnë kohë. Megjithatë, sipas tij, zgjidhja e çështjeve të kufijve përmes bisedimeve apo mekanizmave të njohur duhet parë si kontribut i drejtpërdrejtë në ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit në rajon dhe në kuadër të angazhimeve të Procesit të Berlinit. (Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.